Kosova është njëri nga vendet më rurale në Evropën Juglindore. Në Kosovë, 60% e popullatës jeton në zonat rurale. Bujqësia luan rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke kontribuar me 10.3% në BPV (2015) dhe duke punësuar rreth 25-35% të popullatës.
Në vitin 2015, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kishte një buxhet të përgjithshëm prej 48 milion euro, prej të cilave 25 milion ishin dedikuar për subvencione (prodhim perimesh, blegtori dhe kategori të tjera) dhe 23 million të tjera për grante investive (investime në pemë, perime, qumësht, mish, rrush dhe verë), duke marrë pjesë kështu me 4% të buxhetit të vendit.
Bujqësia me plot arsye perceptohet si njëri nga sektorët më të rrezikshëm të ekonomisë. Në prill 2017 Kosova u përball për disa ditë me temperatura shumë të ulëta, që shkaktuan humbje masive në prodhim. Humbjet dominante qenë në sektorin e pemëtarisë. Mbi 80% e prodhimtarisë së pemëve kanë humbur si pasojë e ngricave pranverore. Prandaj, zhvillimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas të sigurimeve do të kontribuonte në zhvillimin e bujqësisë, duke i zvogëluar rreziqet dhe duke siguruar investime më të mëdha në ferma.
Sigurimet në bujqësi janë instrument efikas financiar për të mundësuar pagesa për fermerët në rastet kur përballen me humbje në prodhim si pasojë e motit të lig dhe e sëmundjeve. Sigurimi bujqësor mundëson vazhdimësinë e biznesit për fermerët në rast të humbjeve. Ky sigurim paraqet edhe një mjet të rëndësishëm për t’i zvogëluar rreziqet dhe mundëson një shteg më të sigurt për investime nga ana e bankave.
Fatkeqësisht, programet e sigurimeve bujqësore ende nuk zbatohen në Kosovë. Për ta dizajnuar një sistem të qëndrueshëm të sigurimeve, na duhet t’i krijojmë: kornizën ligjore rregullative, zhvillimin e kapaciteteve me institucionet dhe kompanitë e sigurimeve, fushatat publike vetëdijësuese të organizuara për fermerët, si dhe dizajnimin e mjeteve praktike siç janë produktet e sigurimeve dhe mjetet e tjera mbështetëse.
IFC/ Grupi i Bankës Botërore – ECA Projekti për Financimin e Bujqësisë
IFC-ja/ Pjesë e Grupit të Bankës Botërore përmes Projektit për Financimin e Bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore (ECA Agri-Finance) ka për qëllim që të udhëheqë qasjen në financa të sektorit bujqësor, duke zvogëluar rreziqet në bujqësi. Këto rreziqe sistematike do të zvogëlohen me zhvillimin e një sistemi të mirëfilltë të sigurimeve bujqësore.
Aktivitetet e projektit bazohen në një qasje tërësore për zhvillimin e sistemit të sigurimeve bujqësore, që përfshin përkrahjen teknike në: (a) mundësimin e ambientit zhvillimor; (b) ndërtimin e kapaciteteve të sektorit; dhe (c) krijimin e produkteve specifike siguruese.
Për ta bërë të mundshëm ambientin e tillë, Projekti për Financimin e Bujqësisë në Kosovë është i fokusuar që të ofrojë asistencë teknike në dizajnimin e një kornize ligjore të fuqishme, pasi që deri më tani nuk ka ndonjë ligj specifik për sigurime bujqësore në Kosovë dhe ligji ekzistues për sigurime përbëhet vetëm prej provizioneve të përgjithshme për të gjitha klasat e produkteve të sigurimeve. Projekti do të sigurojë ekspertizë për grupin punues të Ministrisë së Bujqësisë në funksion të hartimit të draftit të ri për Ligjin e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, si dhe për përshtatjen e draftit të tanishëm në mënyrë që sigurimet bujqësore në Kosovë të jenë të mbuluara në linjë me aktet e BE-së dhe praktikat e standardet ndërkombëtare.
Projekti angazhon disa palë të interesit për zhvillimin e sistemit të sigurimeve në bujqësi. Për këtë arsye është paraparë ndërtimi i kapaciteteve për sektorin. Ministria e Bujqësisë dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) konsiderohet të kenë rolin kryesor ndër autoritetet publike. Përveç kësaj, Projekti ka për qëllim vendosjen e një autoriteti përgjegjës për mbikëqyrje, menaxhim të rrezikut dhe analizim të të dhënave.
Edhe pse gjatë dekadës së fundit disa produkte janë prezentuar individualisht nga kompanitë e sigurimeve, blerja e tyre ka qenë e ulët. Në përgjithësi nuk ka ndonjë treg historik për sigurimet bujqësore në Kosovë. Projekti do të punojë së bashku me Ministrinë e Bujqësisë dhe Bankën Qendrore të Kosovës që të zhvillojë kornizën ligjore dhe të mundësojë sigurimin bujqësor. Përveç kësaj, do ta mbikëqyrë sigurimin bujqësor dhe do të sigurojë që të konsultohen partnerët dhe subvencionet të drejtohen në mënyrën e përshtatshme. Gjithashtu, Projekti do të punojë me Ministrinë e Bujqësisë për ta krijuar Divizionin për Menaxhimin e Rrezikut (ngjashëm si RMA në ShBA). Projekti do të punojë edhe me ofruesit e të dhënave, të cilat janë esenciale për kalkulimin e sigurimeve. I gjithë Projekti do të koordinohet me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës për të sjellë trajnime lidhur me produktet e sigurimeve bujqësore, vlerësim të dëmeve dhe shërbime të tjera në sektorin e sigurimeve.
Prandaj, Projekti do të punojë në partneritet me Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës (ShSK) e cila do ta luajë rolin e koordinatorit mes kompanive të sigurimit dhe Divizionit për Menaxhimin e Rrezikut. ShSK do të ofrojë trajnime për agjentët e shitjes dhe vlerësuesit e dëmeve pranë kompanive të sigurimeve dhe do të organizojë fushata për ta ngritur vetëdijen e fermerëve rreth menaxhimit të rrezikut dhe rreth mjeteve për zvogëlimin e rrezikut. ShSK po ashtu do t’u mundësojë kompanive që t’u ofrojnë shërbime prodhuesve bujqësorë kur kanë ndonjë humbje dhe do të posedojë me kapacitetet e kompanive si sigurues, që t’ua mundësojë shitjen e produkteve të sigurimeve bujqësore.
Aktivitetet e IFC/ Grupi i Bankës Botërore për vendosjen e sistemit të sigurimeve bujqësore në Kosovë
IFC, Pjesë e Grupit të Bankës Botërore, përmes Projektit për Financimin e Bujqësisë në Kosovë (ECA Agri-Finance) do të punojë për së afërmi me Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Njësinë për Zbatimin e Projektit të Bankës Botërore dhe agjencitë e tjera të donatorëve, të përfshira në vendosjen e sigurimeve bujqësore në vend.
ECA – Projekti për Financimin e Bujqësisë në Kosovë së fundmi ka përgatitur një raport mbi Diagnostikën e Sigurimeve Bujqësore në Kosovë, e cila ofron një pasqyrë të ambientit legjislativ dhe rregullativ, të kërkesave për ndërtimin e kapaciteteve, si dhe të mundësive të sigurimit, me theks të veçantë në provizionet e sigurimeve bujqësore në vend. Ky studim diagnostikues është zhvilluar duke shfrytëzuar burime të besueshme të informacionit, siç janë raportet publike vjetore dhe periodike, hulumtimet e tregut dhe intervistat me palët e interesit, të cilat sigurojnë rekomandimet në zonat kyçe për përmirësim, në mënyrë që të zhvillohet sistemi kosovar i sigurimeve bujqësore, i cili përfshin: (1) përditësimin e kornizës aktuale ligjore të Kosovës; (2) zhvillimin e kapaciteteve të sektorit të bujqësisë, sigurimeve dhe të qeverisë, të pakufizuara në mbikëqyrje, menaxhim të rrezikut dhe analizim të të dhënave; dhe (3) zhvillimin e produkteve specifike të sigurimeve bujqësore për t’u ofruar shërbime nevojave të fermerëve në vend.
ECA – Projekti për Financimin e Bujqësisë në Kosovë ka përgatitur raportin për “Vlerësimin e rrezikut dhe profitabilitetit për zinxhirin e vlerës në Kosovë”. Ky raport shqyrton profitabilitetin e 19 kulturave dhe zinxhirin e vlerës së tyre, si dhe vlerëson rrezikun e prodhimit të tyre. Qëllimi i këtij studimi ka qenë që të vlerësohet se cilët zinxhirë të vlerës së kulturave janë më profitabilë dhe me cilat rreziqe janë të shoqëruar, si dhe cilat rreziqe mund të zvogëlohen me sigurim bujqësor.
Shikimi në të ardhmen – Zhvillimi i sistemit kosovar të sigurimeve bujqësore
Ka një varg aktivitetesh të planifikuara për këtë vit. Nga Qershori deri në Korrik 2017, së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, Projekti ka organizuar fushatën për ngritjen e vetëdijes tek fermerët për sigurimet bujqësore gjithandej Kosovës, duke mbajtur 26 takime nëpër komuna. Këtë fushatë e kanë përcjellë afërsisht 600 fermerë, që gjithashtu kanë kontribuar në mbledhjen e të dhënave, duke plotësuar pyetësorin mbi rreziqet më të mëdha të shfaqura në 10 vitet e fundit nëpër rajonet e tyre.
Veç kësaj, afro 600 anketime individuale dhe 200 grupore janë administruar në mënyrë që të grumbullohen të dhënat në historinë e prodhimit dhe rreziqet me të cilat janë përballur fermerët në këto vitet e fundit. Këto të dhëna janë të nevojshme që të analizohen ngjarje të pafavorshme si moti i lig dhe sëmundje të ndryshme, të cilat kanë ndikuar në mënyrë negative në prodhimtarinë bujqësore nëpër të gjitha rajonet e Kosovës. Këto informata të vlefshme do ta ndihmojnë ekipin që më vonë t’i dizajnojë produktet e sigurimit bujqësor.
Në Korrik, Projekti organizoi takimin e Sektorit për Sigurimet në Bujqësi. Qëllimi i kësaj ngjarjeje ishte njoftimi me Projektin e Sigurimeve Bujqësore i palëve kyçe të interesuara në Kosovë, si dhe ndërtimi i platformës për diskutime në sektor mbi mundësitë e aktiviteteve të përbashkëta. Pjesëmarrësit dhe përfaqësuesit nga Ministria e Bujqësisë, Banka Qendrore e Kosovës, kompanitë e sigurimeve, bankat, institucionet mikrofinanciare, brokerët, shoqatat e fermerëve, Agjencia Shtetërore e Statistikave, Instituti Hidro-Meteorologjik, IFC-ja dhe shumë fermerë të tjerë u takuan që ta diskutonin Programin për Sigurime Bujqësore, të gjeturat nga hulumtimet dhe për t’i shprehur mendimet rreth vendosjes së një partneriteti më të mirë publiko-privat për një program të qëndrueshëm dhe efikas të sigurimeve bujqësore.
Aktivitetet e tjera të planifikuara për muajt në vijim janë:
- Konferenca Kombëtare në Nëntor 2017, e cila do të mbledhë të gjitha palët e interesuara në Kosovë. Shumë ekspertë ndërkombëtarë do të jenë të pranishëm si folës. Kjo konferencë do të shërbejë si një mundësi për të gjitha palët e përfshira që të përfitojnë më shumë njohuri dhe të mësojnë nga përvojat ndërkombëtare.
- Në vjeshtë të këtij viti, ekipi i ECA – Projekti për Financimin e Bujqësisë në Kosovë – do të punojë së bashku me stafin e Divizonit për Menaxhimit e Rrezikut në Ministrinë e Bujqësisë për mbikëqyrjen e sigurimeve bujqësore.
- Në vjeshtë Projekti do të organizojë edhe takim me bankat dhe IMF-të të cilat janë të interesuara për financimin e bujqësisë dhe për sigurimet.
Rezultatet përfundimtare
Deri në fund të vitit të ardhshëm, IFC/ Grupi i Bankës Botërore, përmes ECA Projektit për Financimin e Bujqësisë në Kosovë, synon të ketë të vendosur një sistem të sigurimeve bujqësore.