Sigurimi bujqësor për kumbulla

Kumbulla është një nga pemët më të vjetra që fermerët kultivojnë në Kosovë. Ka shumë varietete të kumbullës të kultivuara dhe të tregtuara në tërë Kosovën. Në 2015, në Kosovë ishin 1,518 hektarë me kumbull të varieteteve të ndryshme. Varietetet më të përhapura të kumbullave në Kosovë janë e hershmja e Cacakut, Stanley dhe disa varieteteve tradicionale si Pozhega.

Pasi që sigurimi bujqësor është në fazat fillestare në Kosovë, nuk ka ende ekspertizë të mjaftueshme në dispozicion. Duke marrë parasysh numrin e madh të fermave të vogla, me një mesatare prej 0.5 ha, është propozuar modeli i sigurimit sipas indeksit të motit për kumbulla si modeli më i përshtatshëm dhe praktik për të filluar me të. Sigurimi tradicional kërkon ekspertizë të thellë dhe njohuri për sigurimin, vlerësimin e rrezikut dhe vlerësimin e humbjeve.

Përparësitë e modelit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë:

  • Sigurimi indeks mundëson mbulimin për fermerë të vegjël dhe individual;
  • Për personelin e kompanive të sigurimit nuk kërkohet specializim në bujqësi;
  • Nuk kërkohet ndonjë ekspertizë për t’i shitur polisat;
  • Nuk kërkohet të kryhet ndonjë vlerësim i humbjeve për humbjet e shkaktuara;
  • Sigurimi indeks është transparent pasi që lejon policë mbajtësit që të kenë qasje të drejtpërdrejtë në informatat në të cilat do të llogariten pagesat;
  • Nuk është prezent rreziku i përzgjedhjes së pafavorshme;
  • Nuk ka rrezik moral; dhe
  • Kosto të ulëta operative dhe të transaksionit.

Rreziqet kryesore për kumbullën 

Kumbulla përballet me shumë rreziqe të motit që mund të dëmtojnë sythat, lulet dhe frutat e tyre. Gjatë periudhës së dimrit, pemët frutore mund të përballojnë temperatura shumë të ftohta. Meqë pemët frutore zhvillohen në pranverë dhe sythat fillojnë të rriten, ato rrezikohen nga ngricat pranverore. Prandaj, ngricat pranverore konsiderohen si rreziku ma i madh për kumbullën. Efekti i ngricave tek kumbulla varet nga sa është temperatura minimale dhe kohëzgjatja e ekspozimit, si dhe nga fenofaza e zhvillimit të sythit, luleve dhe frytit të sapoformuar. Ka edhe rreziqe të tjera që mund të ndikojnë në zvogëlimin e rendimentit të kumbullës si era, breshëri, dhe shiu i tepërt. Megjithatë, për qëllimet e këtij produkti, u konsideruan vetëm temperaturat e ulëta gjatë stinës së pranverës. 

Fazat e zhvillimit të kumbullës ndikohen nga faktorët e mëposhtëm:

  • Lartësia mbidetare (çdo 33 metra lulëzimi shtyhet për një ditë);
  • Nënshartesa (Mollët lulëzojnë më herët nëse janë shartuar në nënshartesa vegjetative me bujshmëri të dobët);
  • Mosha e pemës (sa ma e vjetër pema, lulëzimi ndodh më herët);
  • Ashpërsia e prerjeve gjatë krasitjes;
  • Ekspozicioni i pemishtes (i njëjti varietet lulëzon më herët me ekspozicion-orientim nga jugu dhe lindja krahasuar me ekspozicionin nga veriu dhe perëndimi);
  • Të ushqyerit (plehra minerale dhe organike);
  • Mbrojtja nga sëmundjet (për fryte dhe lule të shëndetshme);
  • Pozicioni i pemishtes (rendet brenda pemishtes), veçanërisht drejtimet e rreshtave/ rendeve të pemishteve me drejtim nga jugu lulëzojnë më herët;
  • Humbja varet nga lartësia e kurorës së pemës (sa më e lartë kurora e pemës, aq më e madhe është humbja);
  • Ushqimi me fitohormone dhe mikroelemente;
  • Mirëmbajtja e duhur e pemishtes.

Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave

Kuptimi i periudhës kritike të kumbullës është një nga parametrat më të rëndësishëm për qëllime të sigurimit. Periudha kritike e kumbullës është përcaktuar periudha prej 20 mars deri me 15 maj (gjithsejt 57 ditë).

20 mars – 9 prill – Ngricat pranverore (Faza I)

Kjo është faza e shpërthimit të sythave dhe është faza më kritike në lidhje me acarin e pranverës faza I, pasi pjesa më e madhe e sythave, sidomos vezoret, janë shumë të ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta. Pagesat për shkak të ngricave pranverore (faza II) për këtë periudhë të mbulimit janë përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -5°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 10% për çdo ditë dhe çdo gradë.

10 prill – 30 prill – Ngricat pranverore (Faza II)

Kjo është faza e lulëzimit ku shihen lulet. Periudha më e gjatë e lulëzimit lejon mundësi më të madhe të polenizimit normal, tretjes dhe mbjelljes së pemëve. Për çdo ditë të lulëzimit që ndodh më herët se data mesatare e lulëzimit, gjasat për ngrirje rriten. Nga faktorët e mësipërm, mund të shihet se lulëzimi ndodh në periudha të ndryshme në vende të ndryshme për të njëjtin varietet të kumbullave. Në rajonet e Kosovës lulëzimi fillon më herët në rajonet me lartësi mbidetare më të ulët dhe më vonë në rajonet më lartësi mbidetare me të lartë si: Në Prizren (20 prill), Ferizaj (28 prill), dhe Dragash (12 maj). 

Sapo të fillojë periudha e lulëzimit, një ngricë e madhe mund të shkaktojë dëme serioze për lule në varësi të gjatësisë së ngricës. Pagesat për shkak të ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit janë përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -4°C, por deri në -5°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura ditore është e barabartë ose nën -5°C, por deri në -6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100%.

1 maj – 15 maj – Ngricat pranverore (Faza III)

Kjo është periudha e formimit të frutave. Lulet e pemëve frutore janë shumë të ndjeshme ndaj ngricave të vonshme pranverore faza III. Pagesat për shkak të ngricave të vonshme pranverore për këtë periudhë të mbulimit janë përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë osë nën -1°C, por deri në -2°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -2°C, por deri në -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100%.

Në rast të prekjes se kufijve të dëmshpërblimit, do të llogaritet numri i ditëve nën kufijtë e përcaktuar, të cekura më lartë. Pagesa totale e dëmshpërblimit është shuma e të gjitha dëmshpërblimeve për çdo rrezik specifik. Pagesa e dëmshpërblimit nuk mund të tejkalojë 100% për të gjithë periudhën e siguruar.

Figura 1. Periudha kohore e mbulimit të rreziqeve te kumbulla

Përcaktimi i çmimit të sigurimit

Përcaktimi i çmimit është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën pikë (grid) dhe rezultatet janë në dispozicion në broshurën e çmimeve (primeve) për kulturën e kumbullës.

Të dhënat e nevojshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks të motit

Për sigurimin e bazuar në indeks të  motit, janë  përdorur të dhënat satelitore të  DTN (MeteoGroup i mëparshëm), në bazë të të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe më  vonë do të bëhet edhe vlerësimi i humbjeve. Këto komplete të dhënash të rrjetit (të griduara) ofrojnë të dhëna për motin për elementet (faktorët klimatik) për të cilët nuk ka në dispozicion të dhëna të vëzhguara. DTN ka ofruar të dhëna historike të motit për 104 pika brenda gjithë territorit të Kosovës, ku për secilën pikë (grid) ofron informacion me të dhëna moti për një sipërfaqe/ lokacion prej 10x10km.

Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave

Shuma e Siguruar/ Limitet e Pagesave të dëmshpërblimit janë përcaktuar në bazë të kostove operative për prodhimin e kumbullës në vitin e tyre të plotë të prodhimit. Shuma e sigurimit si kosto operative ofrohet për një mundësi zgjedhjeje (opsion). Për këtë vit, kostoja operative e konsideruar është llogaritur në shumën prej 1,600 Euro/ Ha.  

Kush mund të ofrojë sigurimin bujqësor?

Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të licencohen nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Siguruesit duhet t’ia dorëzojnë Divizionit për Menaxhim të Rrezikut (DMR) dokumentacionin e domosdoshëm për miratim dhe përfshirje në sistem, para se të fillohet me shitjen e polisave standarde të sigurimeve indeks.