Sigurimi bujqësor për specin

Speci është një ndër perimet më të rëndësishme në Kosovë në kuptim të sipërfaqes së mbjellur dhe profitabilitetit. Në 2015, më shumë se 3,000 hektarë të sipërfaqës ishin të mbjellur me spec. Kjo kulturë është e mbjellur më së shumti në rajonin e Dukagjinit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit.  

Pasi që sigurimi bujqësorë nuk është ende i zhvilluar në Kosovë, nuk ka ekspertizë në dispozicion. Duke marrë parasysh numrin e madh të fermave të vogla, është propozuar modeli i sigurimit bujqësorë sipas modelit të indeksit të motit për specin si modeli më i përshtatshëm dhe praktik për të filluar. Sigurimi tradicional kërkon ekspertizë të thellë dhe njohuri për sigurimin, vlerësimin e rrezikut dhe vlerësimin e humbjeve.  

Përparësitë e modelit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë: 

  • Sigurimi indeks mundëson mbulimin për fermerë të vegjël dhe individual; 
  • Për personelin e kompanive të sigurimit nuk kërkohet specializim në bujqësi; 
  • Nuk kërkohet ndonjë ekspertizë për t’i shitur polisat; 
  • Nuk kërkohet të kryhet ndonjë vlerësim i humbjeve për humbjet e shkaktuara; 
  • Sigurimi indeks është transparent pasi që lejon policë mbajtësit që të kenë qasje të drejtpërdrejtë në informatat në të cilat do të llogariten pagesat; 
  • Nuk është prezent rreziku i përzgjedhjes së pafavorshme; 
  • Nuk ka rrezik moral; dhe  
  • Kosto të ulëta operative dhe të transaksionit.  

Rreziqet kryesore për specin  

Speci i nënshtrohet rreziqeve të ndryshme gjatë fenofazave të zhvillimit. Periudha e kultivimit të specave në fushat e hapura varet nga rajoni. Për qëllime të këtij modeli të sigurimit, do të përqendrohemi tek rreziku nga reshjet e tepërta atmosferike gjatë periudhës së mbulimit, të cilat krijojnë lagështi të tepërt në tokë dhe krijojnë një mjedis të përshtatshëm për zhvillim të sëmundjeve dhe ngecje në zhvillimin e bimës. Sëmundjet më të rëndomta të kulturës së specit janë djegia bakteriale, kalbëzimi, sëmundja e rrënjës dhe kërcellit, dhe hiri i specave.  

Fazat e zhvillimit të specave janë të ndikuara nga faktorët e mëposhtëm:  

  • Ekspozicioni i parcelës së mbjellur (i njëjti varietet lulëzon më herët me ekspozicion nga jugu dhe lindja krahasuar me ekspozicionin nga veriu dhe perëndimi); 
  • Mirëmbajtja e duhur e parcelës së mbjellur me spec;  
  • Struktura dhe tipi i tokës.  

Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave  

Kuptimi i periudhës kritike të specit është një nga parametrat më të rëndësishëm për qëllime të sigurimit. Periudha kritike e specave është përcaktuar periudha prej 15 maj deri me 10 qershor (gjithsejt  27 ditë). 

15 maj – 10 qershor – shirat e tepërt (Faza I) 

Kjo është faza e rritjes, degëzimi, lulëzimit dhe formimit të frutave të specit.  Rezultatet e testeve tregojnë që speci nga gjysma e dytë e qershorit deri në fundin e periudhës së vjeljes konsumojnë çdo ditë nga 3.5-4 mm ujë dhe në fazën e nevojës më të madhe për ujë konsumimi shkon përtej 6 mm.  

Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e reshjeve të tepërta të shiut për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë: 

Nëse gjatë periudhës së sigurimit do të akumulohen reshjet e shiut që tejkalojnë ose janë të barabartë me 110mm, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 20%. Për cdo 10mm përtej 110mm, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 20%.  

Tabela 1 – Periudha kohore për rreziqet e specit 

Përcaktimi i primit të sigurimit 

Përcaktimi i primit të sigurimit është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën pikë1 dhe janë në dispozicion në broshurën e primeve për kulturën e specit. 

Të dhënat e domosdoshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks 

Të dhënat e MeteoGroup janë të dhëna satelitore në bazë të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe do të bëhet vlerësimi i humbjeve. MeteoGroup ofron të dhëna të përditësuara për 104 pika brenda territorit të Kosovës.   

Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave  

Shuma e siguruar/Limitet e pagesave do të përcaktohen në bazë të kostove operative për prodhimin e specit. Kostot operative të përfshira janë renditur më poshtë: 

  • Kultivimi intenziv i specit       –  3,500 €/ha; 
  • Kultivimi gjysëm- intenziv i specit – 3,100 €/ha; 
  • Kultivimi tradicional i specit           – 2,600 €/ha; 

Kush mund të ofrojë sigurimin bujqësor? 

Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të jenë të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).