Sigurimi Bujqësor për rrushin

Rrushi është një nga pemët më të vjetra që fermerët kultivojnë në Kosovë. Kultivimi i rrushit është i përqendruar në pjesën jugperëndimore të Kosovës, kryesisht në rajonin e Prizrenit dhe Gjakovës. Të dy llojet e rrushit (rrushi i tryezës dhe rrushi i verës) kultivohet në Kosovë. Në vitin 2015, gjithsej 3,068 hektarë u kultivuan me rrush, ku 2,321 hektarë u përdorën për prodhimin e rrushit të verës, ndërsa 747 hektarë u përdorën për prodhimin e rrushit për tryeza.

Ekzistojnë disa varietete të rrushit që janë të përhapura në treg si: Demir kapi, Afus Ale, Muskati i Hamburgut, Kardinal, Vranac, Cabernet, Smederevka, Pinot, Game, Black burgundies, Shardone, Rizling Rajne, Shiraz, Sheshi i zi etj.

Pasi që sigurimi bujqësor është në fazat fillestare në Kosovë, nuk ka ende ekspertizë të mjaftueshme në dispozicion. Duke marrë parasysh numrin e madh të fermave të vogla, menjë mesatare prej 0.85 ha, është propozuar modeli i sigurimit bujqësor sipas modelit të indeksit të motit për rrushin si modeli më i përshtatshëm dhe praktik për të filluar. Sigurimi tradicional kërkon ekspertizë të thellë dhe njohuri për sigurimin, vlerësimin e rrezikut dhe vlerësimin e humbjeve.

Përparësitë e modelit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë:

  • Sigurimi indeks mundëson mbulimin edhe për fermerë të vegjël dhe individual;
  • Për personelin e kompanive të sigurimit nuk kërkohet specializim në bujqësi;
  • Nuk kërkohet ndonjë ekspertizë për t’i shitur polisat;
  • Nuk kërkohet të kryhet ndonjë vlerësim i humbjeve për humbjet e shkaktuara;
  • Sigurimi indeks është transparent pasi që lejon të siguruarit që të kenë qasje të drejtpërdrejtë në informatat në të cilat do të llogariten pagesat;
  • Nuk është prezent rreziku i përzgjedhjes së pafavorshme;
  • Nuk ka rrezik moral; dhe
  • Kosto të ulëta operative dhe të transaksionit.

Rreziqet kryesore të rrushit

Rrushi përballet me shumë rreziqe të motit që mund të dëmtojnë sythat, lulet dhe frutat e tyre. Gjatë periudhës së dimrit, hardhia e rrushit mund të përballojnë temperatura të ftohta deri në një kufi të caktuar. Meqë hardhitë e rrushit fillojnë aktivitetet e zhvillimit në pranverë dhe sythat fillojnë të rriten, ato e humbasin aftësinë për të përballuar ngricat pranverore.

Prandaj, ngricat pranverore konsiderohen si rreziku ma i madh për rrushin. Efekti i ngricave tek rrushi varet në temperaturën minimale dhe kohëzgjatjen e ekspozimit, si dhe nga fenofaza e zhvillimit të sythit, luleve dhe frytit të sapoformuar. Ka edhe rreziqe të tjera që mund të ndikojnë në zvogëlimin e rendimentit të rrushit si era, breshëri, dhe shiu i tepërt. Megjithatë, për qëllimet e këtij produkti, u konsideruan vetëm temperaturat e ulëta gjatë stinës së pranverës. 

Fazat e zhvillimit të rrushit janë të ndikuara nga faktorët e mëposhtëm:

  • Lartësia mbidetare;
  • Mosha e hardhisë së rrushit (sa ma e vjetër hardhia, lulëzimi ndodh më herët);
  • Ashpërsia e prerjeve gjatë krasitjes;
  • Ekspozicioni i vreshtit (i njëjti varietet lulëzon më herët me ekspozicion nga jugu dhe lindja krahasuar me ekspozicionin nga veriu dhe perëndimi);
  • Pozicioni i vreshtit, veçanërisht drejtimet e rreshtave të vreshtave me drejtim nga jugu lulëzojnë më herët;
  • Mirëmbajtja e duhur e vreshtit.

Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave

Kuptimi i periudhës kritike për rrushin është një nga parametrat më të rëndësishëm për qëllime të sigurimit. Periudha kritike për rrushin është përcaktuar periudha prej 20 Mars deri më 15 Maj    (gjithsejt 57 ditë).

20 mars – 9 prill – Ngricat pranverore (Faza I)

Kjo është faza e mugullimit të sythave dhe është fazë kritike në lidhje me ngricat e pranverës, pasi pjesa më e madhe e sythave, janë shumë të ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta.

Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -9°C, (për cdo shkallë më shumë ose më ulët), pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 15% për cdo shkallë për cdo ditë. Për shembull, nëse temperatura në një ditë është e barabartë me -9°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 15% për ditë, ndërsa nëse temperatura në dy ditë është e barabartë me -10°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 60%. Duke vazhduar tutje, nëse temperatura është e barabartë ose më e ulët se -13°C, por deri në -14°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 90% për ditë. Për fund, nëse temperatura është e barabartë ose më e ulët se -14°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100% për ditë.

10 prill – 30 prill – Ngricat pranverore (Faza II)

Kjo është faza kur fillon lulëzimi dhe lulet fillojnë të shihen. Periudha më e gjatë e lulëzimit lejon një mundësi më të madhe të pllenimit (polenizimit) normal.Për çdo ditë të lulëzimit që ndodh më herët se data mesatare (e zakonshme) e lulëzimit, mundësia e ngricave është më e lartë. Nga faktorët e mësipërm, mund të shihet se lulëzimi ndodh në periudha të ndryshme në vende të   ndryshme për të njëjtin varietet të rrushit. Pasi fillon periudha e lulëzimit, ngricat mund të shkaktojnë dëme serioze në lule, në varësi të kohë zgjatjes së tyre.

Pagesat për shkak të ngricave në mes të pranverës për këtë periudhë të mbulimit janë përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -2°C, por deri në -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -3°C, por deri në  -4 °C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -4 °C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 70% për çdo ditë.    

1 maj – 15 maj – Ngricat pranverore (Faza III)

Kjo është periudha e formimit të frutave. Frutat e posaformuara të rrushit  janë shumë të ndjeshme ndaj ngricave të vonshme pranverore në këtë periudhë kohore. Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -1°C, por deri në -2°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -2°C, por deri në -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 80% për ditë.

Në rast të prekjes së kufijve të dëmshpërblimit, do të llogaritet numri i ditëve në të cilat kufijtë e përcaktuar janë prekur. Pagesa totale e dëmshpërblimit është shuma e të gjitha dëmshpërblimeve për çdo periudhë rreziku. Pagesa e dëmshpërblimit nuk mund të tejkalojë 100% për të gjithë periudhën e siguruar.

Figura 1. Periudha kohore e mbulimit të rreziqeve te rrushi

Përcaktimi i çmimit të sigurimit

Përcaktimi i primit të sigurimit është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën pikë[1] dhe janë në dispozicion në broshurën e çmimeve (primeve) për kulturën e rrushit.

Të dhënat e nevojshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks të motit

Për sigurimin e bazuar në indeks të  motit, janë  përdorur të dhënat satelitore të  DTN (MeteoGroup i mëparshëm), në bazë të të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe më  vonë do të bëhet edhe vlerësimi i humbjeve. Këto komplete të dhënash të rrjetit (të griduara) ofrojnë të dhëna për motin për elementet (faktorët klimatik) për të cilët nuk ka në dispozicion të dhëna të vëzhguara. DTN ka ofruar të dhëna historike të motit për 104 pika brenda gjithë territorit të Kosovës, ku për secilën pikë (grid) ofron informacion me të dhëna moti për një sipërfaqe/ lokacion prej 10x10km.

Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave

Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave të dëmshpërblimit janë përcaktuar në bazë të kostove operative për prodhimin e rrushit në vitin e tyre të plotë të prodhimit. Shuma e sigurimit si kosto operative ofrohet për një mundësi zgjedhjeje (opsion). Për këtë vit, kostoja operative e konsideruar është llogaritur në shumën prej 1,300 Euro/ Ha.  

Kush mund të ofrojë sigurimin bujqësor?

Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të licencohen nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Siguruesit duhet t’ia dorëzojnë Divizionit për Menaxhim të Rrezikut (DMR) dokumentacionin e domosdoshëm për miratim dhe përfshirje në sistem, para se të fillohet me shitjen e polisave standarde të sigurimeve indeks.


[1] Grid – të dhënat nëpër pika të MeteoGroup janë të dhëna satelitore, ku secila pikë ofron të dhëna të motit për një sipërfaqe prej 10x10km të territorit të Kosovës.