Pse sigurim bujqësor për fermerët Kosovar?
Kushtet atmosferike kanë pësuar një ndryshim të madh në dekadën e fundit, si në Kosovë ashtu edhe në botë. Kjo mund t’i atribuohet ndryshimeve që vijnë nga pasojat e ngrohjes globale. Ngjashëm me vendet e tjera, në prill 2016 dhe 2017, Kosova u përball me disa ditë me temperatura të ulëta që shkaktuan humbje të mëdha të prodhimit, kryesisht në sektorin e frutave. Mbi 80% e rendimentit të pritur nga frutat ishte humbur për shkak të ngricave pranverore. Gjatë viteve 2009, 2012 dhe 2015 Kosova u përball me disa ditë me thatësira që shkaktuan humbje në rendiment, kryesisht në grurë dhe misër. Përsëri në vitin 2011, Kosova u përballë me një mot të keq me acar pranveror, i cili shkaktoi dëme në pemishte, sidomos në ato të rrushit. Megjithatë, ky nuk ishte viti i vetëm që Kosova u përballë me humbje në prodhim për shkak të motit të keq. Përsëri, sektori i frutave mori goditje më të madhe gjatë viteve në vijim, ndërsa sektori i bletarisë pësoi edhe pasojat e këtyre ngjarjeve të motit. Ndikimi ekonomik i këtyre dëmeve të shkaktuara nga kushtet atmosferike ka qenë jashtëzakonisht i madh, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e fermerëve kosovar. Rreziqet në bujqësi krahasuar me rreziqet e tjera janë të ndryshme, për shkak që ngjarjet nga moti përfshijnë shumë fermerë në të njëjtën kohë, duke shkaktuar humbje të jashtëzakonshme. Këto humbje gjithpërfshirëse janë shumë të vështira për t’u mbuluar për të gjithë fermerët në të njëjtën kohë kur ka mungesë të burimeve buxhetore si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror . Me të gjitha këto humbje të regjistruara në vitet e fundit, në Kosovë është bërë një domosdoshmëri për të zhvilluar një sistem të sigurimeve bujqësore. Prandaj, zhvillimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas të sigurimit do të kontribuojë në zhvillimin e bujqësisë duke zbutur rreziqet dhe duke siguruar investimet në fermë.
Çfarë është sigurimi i bujqësisë? Si funksionon? Çfarë është sigurimi i bazuar në principet e Indeksit?
Fermeri ka forma të ndryshme për zbutjen e rreziqeve për të reduktuar rrezikun gjatë sezonit të prodhimit. Në mesin e këtyre mjeteve është edhe sigurimi bujqësor, që paraqet një instrument për mbrojtjen e fermerit nga rreziqet e ndryshme. Sigurimi bujqësor është një instrument financiar efektiv për të siguruar pagesa për fermerët, nëse ata përballen me humbje në prodhim për shkak të motit të keq. Kështu, sigurimi bujqësor mund të sigurojë vazhdimësi të biznesit për fermerët në rast të humbjeve. Ai përfaqëson një mjet të rëndësishëm për të zbutur rreziqet dhe siguron një rrugë më të sigurt për investimet e bankës, fermerët mund të paguajnë kreditë e tyre edhe gjatë kohës së dështimit të kulturave me mbështetjen e partnerit të duhur të sigurimit. Sigurimi bujqësor mund të përdoret si mjet për të ndihmuar në mbulimin e shumës së kredisë, pasi shumë nga vështirësitë e përballimit të fermerit është për të ofruar kolateral të mjaftueshëm të kërkuar nga bankat. Me sigurimin e bujqësisë do të jetë shumë e lehtë për bankat dhe institucionet mikro financiare (MIF-të) që të japin kredi bujqësore. Por, përveç sigurimit bujqësor, ekzistojnë edhe mjete të tjera që ndihmojnë fermerët për të zbutur rreziqet si: diversifikimi (kultivimi i kulturave të ndryshme, bagëtisë, diversifikimi gjeografik, të ardhurat nga burime të tjera), teknologji të reja (rrjeta kundër breshërit, ujitja në formën e shiut ndaj ngricave pranverore, etj)
Duke pas parasysh se në Kosovë nuk ka patur asnjë sigurim bujqësor deri më tani, Korporata Ndërkombëtare Financiare (International Finance Corporation- IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) kanë zhvilluar modelet e para të sigurimit bujqësor për fermerët kosovar. Këto modele janë përgatitur me anë të llogaritjeve aktuariale dhe në fushën e sigurimeve njihen si produkte me INDEKS.
Mirëpo, c`farë është sigurimi me indeks? Ky lloj i sigurimit bujqësor paraqet një mjet për fermerët për të zbutur rrezikun kur përballen me kërcënime të motit nga temperatura shumë të ulëta ose shumë të larta, reshje të tepërta dhe thatësira. Për të gjitha humbjet në të ardhurat e shkaktuara nga këta faktorë të motit të përmendur më sipër, të gjithë fermerët që kanë blerë sigurimin do të kompensohen direkt nga kompanitë e sigurimeve.
Pse fermerët kanë nevojë për sigurim bujqësor?
Themelimi i sistemit të sigurimeve bujqësore në bujqësi do të jetë një hap shumë i rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të bujqësisë, duke pas parasysh edhe ndikimin pozitiv që ky sektor ka në rritjen ekonomike të vendit. Fermerët që do të pajisen me sigurim bujqësor do të kenë një stabilizim të rrjedhës së parasë së tyre nga pengesa të paparashikuara që lidhen me fatkeqësit e motit. Sigurimi bujqësor do të ndihmojë në rritjen e produktivitetit bujqësor, fermerët do të kenë nevojë për qasje në financa për të blerë më shumë tokë (fermat duhet të rriten në madhësi për t’u bërë më efikase); blejnë fara me cilësi të mirë dhe kontribute për rritjen e rendimenteve, të investojnë në sektorin e vlerës së shtuar për të zëvendësuar importin. Duke pasur parasysh se mbijetesa e fermerit varet nga cilësia dhe sasia e prodhimit që prodhon, sigurimi i kulturave ndihmon në luftën kundër varfërisë.
Roli i Qeverisë në zhvillimin e sistemit të sigurimeve bujqësore
Kushtet ekstreme të motit që kanë qenë të pranishme në Kosovë gjatë viteve të fundit, veçanërisht ato të 2016 dhe 2017, kanë shkaktuar humbje të jashtëzakonshme ekonomike, duke e bërë të pamundur që këto dëme të mbulohen me mjetet buxhetore të Ministrisë së Bujqësisë.
Nëse gjendja e ngjashme e motit vazhdon të ndodhë edhe në vitet e ardhshme, do të jetë shumë e vështirë për strukturën qeveritare që të ofrojë mbështetje buxhetore përmes pagesave “ad hoc”. Pra, për Qeverinë e Kosovës dhe sidomos për Ministrinë e Bujqësisë, është shumë e rëndësishme të themelohet një sistem i Sigurimit Bujqësor i cili do të sigurojë mbrojtje për fermerët që prodhojnë në Kosovë.
Krahas programeve të granteve dhe subvencioneve që ofrohen në baza vjetore nga Ministria e Bujqësisë, Ministria ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetjen e tyre edhe në sigurimin bujqësor, duke mbuluar rreth 50% të vlerës së polisave të sigurimit për të gjithë fermerët të cilët dëshirojnë të blejnë produkte të sigurimit. Qeveria e Kosovës e këshilluar nga IFC / Grupi i Bankës Botërore do të ndjekë praktikat më të mira nga vendet e tjera si: SHBA, Kanada-ja, Turqia dhe Spanja, dhe të zbatojë këto programe për fermerët në Kosovë. Duke marrë këtë hap në mbështetjen e politikës së sigurimit, Ministria e Bujqësisë po demonstron gatishmërinë për të avancuar më tej zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë.
Skema e sigurimeve bujqësore në Kosovë do të organizohet në një partneritet midis tre akterëve kryesorë – fermerëve, Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (kompanitë e sigurimeve) dhe MBPZHR-së. Në këtë skemë, MBPZHR-ja do të përfaqësohet nga Divizioni për Menaxhimin e Rrezikut (DMR), që do të menaxhojë të gjithë sistemin. Roli i Divizionit të Menaxhimit të Rrezikut (DMR):
- dizajnimi i produktit (dokumentacioni i produktit, procedurat e rregullimit të humbjeve /, primet);
- grumbullimi i të dhënave për sigurimin, menaxhimin dhe raportimin e të dhënave në lidhje me përdorimin e sigurimeve;
- llogaritjet aktuariale për të llogaritur çmimet;
- menaxhimin e sistemit informativ (Baza e të dhënave) si bazë e funksionimit të qartë dhe transparent të sistemit të sigurimeve dhe të ketë të dhëna për zhvillimin e ardhshëm të produkteve / subvencioneve;
- Programi për rregullimin e humbjeve dhe programin e certifikimit;
- Ndërgjegjësimi i fermerit; dhe
- Menaxhimi i sistemit të subvencioneve të primit – Fermerët do të blejnë polisa në kompanitë e sigurimeve dhe do të paguajnë një përqindje të primit, më pas kompanitë e sigurimeve do t’i dërgojnë këto polisa në DMR për rimbursimin e përqindjes tjetër (pjesë) të primit. Kjo do të miratohet në rast se subvencionet e primit do të jenë pjesë e sistemit.
Roli i Korporatës Ndërkombëtare Financiare në sigurimin bujqësor në Kosovë
Korporata ndërkombëtare financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, përmes Projektit për Financimin e Bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore, bazuar në përvojën e gjatë në këtë fushë në më shumë se 20 vende të botës, synon lehtësimin e qasjes në financa në sektorin e bujqësisë duke zbutur rreziqet e qenësishme në këtë sektor. Këto rreziqe sistematike do të zbuten me zhvillimin e një sistemi të sigurimeve bujqësore.
Aktivitetet e projektit bazohen në një qasje të drejtë për zhvillimin e një sistemi të sigurimeve bujqësore duke përfshirë mbështetjen teknike në: (a) ndihmën në zhvillimin e një mjedisi rregullator dhe ekonomik të favorshëm; (b) ndërtimi i kapaciteteve sektoriale; dhe (c) krijimin e produkteve specifike të sigurimit.
Produktet e para të sigurimeve bujqësore për fermerët Kosovar
Korporata ndërkombëtare financiare (IFC), pjesë e Grupit të Bankës Botërore, përmes Projektit për Financimin e Bujqësisë në Evropë dhe Azi Qendrore, në bashkëpunim me Njësinë për Menaxhimit e Rrezikut në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, ka zhvilluar gjashtë produkte bujqësore për fermerët kosovarë që do të jenë në dispozicion në treg në fillim të vitit 2018.
Sektori i frutave në Kosovë është me rëndësi për Ministrinë e Bujqësisë, pasi ka pasur një rritje të vazhdueshme të zonave të mbjella gjatë viteve. Produktet e para të sigurimit bujqësor u përzgjodhen ato me përfitimit të lartë, sidomos ato të sektorit të frutave dhe, në të njëjtën kohë, rrezikut te ekspozimit të tyre ndaj kushteve tëmotit. Një arsye tjetër është se sektori i frutave ka pësuar humbje të mëdha këtë vit dhe vitin e kaluar të cilat nuk janë mbuluar siç duhet nga ndonjë mekanizëm lehtësues i humbjeve. Për të mbrojtur zonën aktuale të mbjellë me fruta dhe për të zhvilluar më tej këtë sektor, duke mos konsideruar investime të tjera potencialisht të nevojshme në formën e teknikave më të mira të prodhimit, është e rëndësishme për të mbështetur fermerët me një mekanizëm lehtësues të rrezikut siç është sigurimi bujqësor.
Duke marrë parasysh se përqindja e sektorit të frutave dhe perimeve në BPV-në e vendit është relativisht e lartë dhe se kontributi i saj në punësim është i rëndësishëm, duke gjeneruar në të njëjtën kohë të ardhura të larta për fermerët të cilët janë shumë të ekspozuar ndaj rrezikut, prodhimet që u përzgjodhën për të qenë të parët në dispozicion të fermerëve kosovarë, janë Molla, Mjedër, Dredhza, Speci, Rrushi i Verës, dhe Kumbulla.
Shitja e polisave të sigurimit do të kryhet nga kompanitë e sigurimeve që veprojnë në Kosovë. Fermerët do të jenë në gjendje t’i qasen atyre në të gjitha komunat dhe kudo që ka një zyrë të shoqërisë së sigurimit. Produkti i parë i sigurimeve do të jetë i bazuar në kushtet e motit – produktet e sigurimit të indeksit që mbulojnë rreziqet nga temperatura e ulëta, thatësira dhe shiu i tepërt.
Metodologjia e çmimores dhe mbulueshmëria e rrezikut:
Çmimet janë llogaritur në varësi të vendndodhjes së fermës dhe zonës klimatike të cilës i takon. Për qëllime të çmimeve, janë marrë në konsiderim kostot e prodhimit për kulturë, varësisht nga niveli i teknologjisë së përdorur nga fermeri. Në Kosovë, në përgjithësi përdoren tre lloje të teknologjisë së prodhimit: Intensive, e Kombinuar dhe Tradicionale.
Tabela e mëposhtme paraqet rreziqet dhe cmimet e llogaritura për gjashtë kultura, që do të përfshihen në skemën e sigurimeve për vitin 2018.