Breshëri rrezikon përsëri vreshtat dhe pemishtet e Kosovës
Këtë vit, fundi i pranverës dhe fillimi i verës është përcjellur me stuhi breshëri në disa regjione të vendit tonë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në shumë kultura bujqësore të cilat ishin në faza të ndryshme të zhvillimit. Si pasojë e këtyre kushteve atmosferike, fermerët Kosovarë u ballafaquan përsëri me humbje të mëdha, duke rezultuar me zvoglim të rendimentit të pritshëm për shumë kultura. Vetëm në komunën e Rahovecit nga breshëri dhe vërshimet gjatë muajit Maj 2020, dëmet në sektorin e bujqësisë kapën vlerën rreth 2.6 milion euro, të dhëna këto nga raporti i dëmeve i publikuar nga drejtoria komunale e bujqësisë në Rahovec.
Ndryshimi i klimës në vitet e fundit ka rezultuar në një rritje të reshjeve atmosferike, me një fokus në stuhi breshëri. Përveç dëmit të shkaktuar nga këto reshje të tepërta në kulturat bujqësore, kostot e prodhimit për fermerët gjithashtu po rriten pasi bimët kanë nevojë të trajtohen me preparate shtesë për të parandaluar sëmundjet dhe dëmet që vijnë si pasojë e këtyre reshjeve të tepërta shiu dhe breshëri.
IFC / Grupi i Bankës Botërore përmes Projektit të Financave ECA Agri në Kosovë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), synon lehtësimin e qasjes në financa në sektorin e bujqësisë duke zbutur rreziqet e natyrshme për bujqësinë. Këto rreziqe sistematike do të zbuten nga zhvillimi i një sistemi të sigurimeve bujqësore. Sigurimi bujqësor është një instrument financiar efektiv për të siguruar pagesa për fermerët nëse ata ballafaqohen me humbje në rendiment për shkak të motit të dobët dhe sëmundjeve. Si rezultat, sigurimi bujqësor mund të sigurojë vazhdimësi të biznesit për fermerët në rast të humbjeve. Ai përfaqëson një mjet të rëndësishëm për të zbutur rreziqet dhe siguron një rrugë më të sigurt për investime nga ana e bankave për keto biznese. Në 2019, IFC /Antare e Grupit të Bankës Botërore përmes Projektit të Financave ECA Agri së bashku me MBPZHR prezantuan gjashtë produkte indeks të sigurimeve bujqësore në mënyrë që të mbrojnë fermerët nga disa rreziqe të motit, produktet e prezantuara mbulojnë kulturat e mëposhtme: mollë, rrush, mjedra, kumbull, dredhzë dhe speca.
Sidoqoftë, gjatë takimeve të rregullta me fermerët, u identifikua si një nevojë shtesë për të zhvilluar produkte të reja që sigurojnë mbrojtje më të madhe nga faktorët e rrezikut të motit, domethënë u kërkua krijim i produketeve që ofrojnë mbrojtje nga breshëri. Prandaj, ka filluar puna për zhvillimin e tre produkteve të reja tradicionale të sigurimeve që do të mbrojnë fermerët nga humbjet e breshërit. Fillimisht, ky produkt do të jetë në dispozicion për këto tre kultura: mollë, rrush dhe speca.
Këto produkte sigurimesh kanë për qëllim kryesisht të mbrojnë prodhimin bujqësor në periudhat më kritike të zhvillimit të produktit nga formimi i frutave deri në vjelje.
KARAKTERISITIKAT BAZË TË PRODUKTIT:
Produkti tradicional i sigurimit të rrushit: do të mbulojë periudhën e rrezikut midis 15 maj – 30 shtator. Rreziku që do të mbulohet është breshëri i shoqëruar nga sëmundja Botrytis. Periudha e mbulimit të rrezikut përfshin kohën nga formimi i frutave të para deri në periudhën e vjeljes. Nëse gjatë kësaj periudhe ndodh një stuhi breshëri në vreshta, vlerësuesi i dëmeve do të vlersojë dëmin pak ditë para vjeljes, si dhe do të përcaktoj vlerën sa do të kompensohet fermeri nga dëmi i shkaktuar.
Produkti tradicional i sigurimit të mollës: do të mbulojë periudhën e rrezikut midis 1 maj – 15 shtator. Rreziku që do të mbulohet gjatë kësaj periudhe është breshëri. Periudha e mbulimit të rrezikut përfshin kohën nga formimi i frutave të para të mollës deri në periudhën e vjeljes. Gjatë kësaj periudhe, pa marrë parasysh sa herë breshëri do të godasë pemishtet, vlerësimi i dëmit do të bëhet 10 ditë para vjeljes së frutave të mollës, ku do të përcaktohet raporti i saktë i humbjeve në pemishte dhe shuma e kompensimit për fermerin.
Produkti tradicional i sigurimit të specit: do të mbulojë rrezikun nga periudha e formimit të frutave deri në periudhën e vjeljes dhe nuk ka një datë specifike pasi në rajone të ndryshme të Kosovës procesi i formimit dhe vjeljes së frutave ndryshon. Rreziku që do të mbulohet gjatë kësaj periudhe është breshëri, ndërsa sëmundjet e tjera që mund të shkaktohen në spec nuk janë të mbuluara nga sigurimi pasi konsiderohet se ato duhet të menaxhohen me masat e duhura agronomike nga ana e vet fermerit.
Fermerët do të kompensohen sipas humbjeve të ndodhura në frutat që janë goditur nga breshëri. Vlen të përmendet se, brenda kontekstit të skemës së Sigurimeve Bujqësore të zbatuar në Kosovë, vlerësimi i dëmit në pemishte do të kryhet nga ekspertë të kualifikuar dhe të pavarur.
Këto produkte të reja tradicionale të sigurimit të breshërit janë planifikuar të prezantohen në pranverën e vitit 2021, duke u ofruar fermerëve tanë mundësi të reja për të mbrojtur kulturat e tyre bujqësore dhe për të zgjeruar biznesin e tyre duke ua bërë më të lehtë atyre qasjen në financa në banka dhe IMF.