Sigurimi bujqësor për qershinë
Qershitë janë fruta të vjetra dhe të njohura në Kosovë me rreth 124.51 ha sipërfaqe të mbjellë dhe 681 fermerë qershie. Qershitë i përkasin pemëve frutore bërthamore dhe janë të ndjeshme ndaj kushteve të motit por janë shumë fitimprurëse me potencial të lartë prodhimi dhe eksporti.
Varietetet më të zakonshme të kultivuara në Kosovë janë renditur më poshtë: Regina, Burlat, Kordia, Karmen, Herc (Hedelfinger), Stella, etj.
Përparësitë e modelit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë:
- Sigurimi indeks mundëson mbulimin për fermerë të vegjël dhe individual;
- Për personelin e kompanive të sigurimit nuk kërkohet specializim në bujqësi;
- Nuk kërkohet ndonjë ekspertizë për t’i shitur polisat;
- Nuk kërkohet të kryhet ndonjë vlerësim i humbjeve për humbjet e shkaktuara;
- Sigurimi indeks është transparent pasi që lejon policë mbajtësit që të kenë qasje të drejtpërdrejtë në informatat në të cilat do të llogariten pagesat;
- Nuk është prezent rreziku i përzgjedhjes së pafavorshme;
- Nuk ka rrezik moral; dhe
- Kosto të ulëta operative dhe të transaksionit.
Rreziqet kryesore për qershinë
Qershitë përballen me shumë rreziqe të motit që mund të dëmtojnë sythat, lulet dhe frutat e tyre si thatësira, ngrica pranverore, breshri, shirat e dendur etj. Periudha më e ndjeshme është 3 deri në 4 javë gjatë lulëzimit dhe nëse gjatë kësaj kohe temperaturat bien në 2.2C. -2.7C qershia do të pësojë dëmtime të konsiderueshme. Ndërsa lulet zhvillohen në pranverë dhe sythat fillojnë të fryhen, ata humbasin aftësinë për t’i bërë ballë temperaturave të ftohta ndërsa lulet dëmtohen në -2°C, -3°C.Fazat e zhvillimit të qershisë ndikohen nga faktorët e mëposhtëm:
Ndryshe nga llojet e tjera frutore, qershitë janë më rezistente ndaj temperaturave të larta, ndaj nuk ka dëme kur temperaturat kalojnë 30°C. Humbjet e të korrave për shkak të temperaturave të ngrirjes janë pothuajse gjithmonë të rëndësishme në qershi. Në një ngrirje rrezatimi me kushte të qarta dhe të qeta, frutat në vendet më të larta ose në majat e pemëve do të dëmtohen më pak se ato në vendet më të ulëta.
Frutat me bërthamë (kajsitë, qershitë, pjeshkët dhe kumbullat) kanë një strukturë lulesh shumë të thjeshtë. Lulja përmban një pistil të vetëm (pjesa femërore e lules që do të bëhet fruti i qershisë) që ekspozohet brenda një kupe të formuar nga sepalet dhe petalet e lules. Nëse pistili është me ngjyrë kafe ose i zi pas ngrirjes, nga ajo lule nuk do të zhvillohet një frut qershie sepse pistili është vdekurë. Në fillim të sezonit, kur sythat janë fryrë por nuk janë hapur, sythat e luleve shpesh priten nëpër syth për të mbrojtur pistilin. Nëse kjo është e zezë, lulja është vdekur dhe fruti nuk do të formohet. Një pistil i shëndetshëm I gjelbër do të thotë se kjo qershi është e gjallë. Sythat e pemëve frutore me bërtham janë ose lule ose sytha gjethesh dhe jo një përzierje e të dyjave.
- Lartësia mbidetare (çdo 33 metra lulëzimi shtyhet për një ditë);
- Mosha e pemës (sa ma e vjetër pema, lulëzimi ndodh më herët);
- Ashpërsia e prerjeve gjatë krasitjes;
- Ekspozicioni i pemishtes (i njëjti varietet lulëzon më herët me ekspozicion-orientim nga jugu dhe lindja krahasuar me ekspozicionin nga veriu dhe perëndimi);
- Të ushqyerit (plehra minerale dhe organike);
- Mbrojtja nga sëmundjet (për fryte dhe lule të shëndetshme);
- Pozicioni i pemishtes (rendet brenda pemishtes), veçanërisht drejtimet e rreshtave/ rendeve të pemishteve me drejtim nga jugu lulëzojnë më herët;
- Humbja varet nga lartësia e kurorës së pemës (sa më e lartë kurora e pemës, aq më e madhe është humbja);
- Ushqimi me fitohormone dhe mikroelemente;
- Mirëmbajtja e duhur e pemishtes.
Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave
Kuptimi i periudhës kritike të qershisë është një nga parametrat më të rëndësishëm për qëllime të sigurimit. Periudha kritike e qershisë është përcaktuar periudha prej 20 mars deri me 15 maj (gjithsejt 57 ditë).
20 mars – 15 prill – Ngricat pranverore (Faza I)
Kjo është faza e shpërthimit të sythave dhe është faza më kritike në lidhje me ngricat e pranverës, pasi pjesa më e madhe e sythave, sidomos vezoret, janë shumë të ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta. Pagesat për shkak të ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit janë përshkruar më poshtë:
Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -8°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 10% për çdo ditë dhe çdo gradë.
16 prill – 30 prill – Ngricat pranverore (Faza II)
Kjo është faza e lulëzimit ku shihen lulet. Periudha më e gjatë e lulëzimit lejon një mundësi më të madhe të pllenimit normal. Nëse lulëzimi ndodh më herët se data mesatare e lulëzimit, gjasat e humbjes rriten.
Gjatë periudhës së lulëzimit, ngrica pranverore mund të shkaktojë dëme serioze për lulet në varësi të gjatësisë së ngricave. Koha mesatare e lulëzimit të qershive është në dekadat II dhe III të prillit. Kohëzgjatja mesatare e lulëzimit është 20 ditë, me një variacion 16-24 ditë.
Pagesat për shkak të ngricës së mesit të pranverës për këtë periudhë mbulimi përshkruhen më poshtë:
Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë me ose nën -5°C, por më e lartë se -6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% në ditë. Nëse temperatura ditore është e barabartë ose nën -6°C por më e lartë se -7°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% në ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -7°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100% në ditë.
1 maj – 15 maj – Ngricat pranverore (Faza III)
Kjo është periudha e formimit të frutave. Frytet e reja të pemëve frutore janë shumë të ndjeshme ndaj ngricave të vonshme pranverore. Pagesat për shkak të ngricave të vonshme pranverore për këtë periudhë të mbulimit janë përshkruar më poshtë:
Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë osë nën -1°C, por deri në -2°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -2°C, por deri në -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100%.
Në rast të prekjes se kufijve të dëmshpërblimit, do të llogaritet numri i ditëve nën kufijtë e përcaktuar, të cekura më lartë. Pagesa totale e dëmshpërblimit është shuma e të gjitha dëmshpërblimeve për çdo rrezik specifik. Pagesa e dëmshpërblimit nuk mund të tejkalojë 100% për të gjithë periudhën e siguruar.
Figura 1. Periudha kohore e mbulimit të rreziqeve te qershia
Përcaktimi i çmimit të sigurimit
Përcaktimi i çmimit është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën pikë[1] dhe rezultatet janë në dispozicion në broshurën e çmimeve (primeve) për kulturën e qershisë.
Të dhënat e nevojshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks të motit
Për sigurimin e bazuar në indeks të motit, janë përdorur të dhënat satelitore të DTN (MeteoGroup i mëparshëm), në bazë të të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe më vonë do të bëhet edhe vlerësimi i humbjeve. Këto komplete të dhënash të rrjetit (të griduara) ofrojnë të dhëna për motin për elementet (faktorët klimatik) për të cilët nuk ka në dispozicion të dhëna të vëzhguara. DTN ka ofruar të dhëna historike të motit për 104 pika brenda gjithë territorit të Kosovës, ku për secilën pikë (grid) ofron informacion me të dhëna moti për një sipërfaqe/ lokacion prej 10x10km.
Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave
Shuma e Siguruar/ Limitet e Pagesave të dëmshpërblimit janë përcaktuar në bazë të kostove operative për prodhimin e qershisë në vitin e tyre të plotë të prodhimit. Shuma e sigurimit si kosto operative ofrohet për një mundësi zgjedhjeje (opsion).
Për këtë vit, kostoja operative e konsideruar është llogaritur në shumën prej 1,900 Euro/ Ha.
Kush mund të ofrojë sigurimin bujqësor?
Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të licencohen nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Siguruesit duhet t’ia dorëzojnë Divizionit për Menaxhim të Rrezikut (DMR) dokumentacionin e domosdoshëm për miratim dhe përfshirje në sistem, para se të fillohet me shitjen e polisave standarde të sigurimeve indeks.
[1] Pikë (grid)- të dhënat e MeteoGroup janë të dhëna satelitore, ku për secilën pikë ofrohen të dhëna të motit për një sipërfaqe prej 10x10km të territorit të Kosovës.