Sigurimi bujqësor për molla

Molla është një nga pemët më të vjetra që fermerët kultivojnë në Kosovë. Ka shumë varietete të mollës të prodhuara dhe të tregtuara në tërë Kosovën. Aktualisht në Kosovë kultivohen rreth 2,000 hektarë me mollë të varieteteve të ndryshme. Varietetet më të zakonshme të mollëve për nga fazat e lulëzimit janë renditur më poshtë:

Pasi që sigurimi bujqësor është në fazat fillestare në Kosovë, nuk ka ende ekspertizë të mjaftueshme në dispozicion. Duke marrë parasysh numrin e madh të fermave të vogla, me një mesatare prej 2 ha, është propozuar modeli i sigurimit bujqësorë sipas modelit të indeksit të motit për mollën si modeli më i përshtatshëm dhe praktik për të filluar. Sigurimi tradicional kërkon ekspertizë të thellë dhe njohuri për sigurimin, vlerësimin e rrezikut dhe vlerësimin e humbjeve. Përparësitë e modelit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë:

Rreziqet kryesore të mollës

Molla përballet me shumë rreziqe të motit që mund të dëmtojnë sythat, lulet dhe frutat e tyre. Gjatë periudhës së dimrit, pemët frutore mund të përballojnë temperatura shumë të ftohta. Meqë pemët frutore zhvillohen në pranverë dhe sythat fillojnë të rriten, ato rrezikohen nga ngricat pranverore. Prandaj, ngricat pranverore konsiderohen si rreziku më i madh për mollën. Efekti i ngricave tek molla varet në nivelin e temperaturës minimale, kohëzgjatja e ekspozimit, si dhe nga fenofaza e zhvillimit të sythit, luleve dhe frytit të sapoformuar. Ka edhe rreziqe të tjera që mund të ndikojnë në zvogëlimin e rendimentit të mollës si era, breshëri, dhe shiu i tepërt. Megjithatë, për qëllimet e këtij produkti, u konsideruan vetëm temperaturat e ulëta gjatë stinës së pranverës.  

Fazat e zhvillimit të mollës ndikohen nga faktorët e mëposhtëm:

  • Lartësia mbidetare (çdo 33 metra lulëzimi shtyhet për një ditë);
  • Nënshartesa (Mollët lulëzojnë më herët nëse janë shartuar në nënshartesa vegjetative me bujshmëri të dobët);
  • Mosha e pemës (sa ma e vjetër pema, lulëzimi ndodh më herët);
  • Ashpërsia e prerjeve gjatë krasitjes;
  • Ekspozicioni i pemishtes (i njëjti varietet lulëzon më herët me ekspozicion-orientim nga jugu dhe lindja krahasuar me ekspozicionin nga veriu dhe perëndimi);
  • Të ushqyerit (plehra minerale dhe organike);
  • Mbrojtja nga sëmundjet (për fryte dhe lule të shëndetshme);
  • Pozicioni i pemishtes (rendet brenda pemishtes), veçanërisht drejtimet e rreshtave/ rendeve të pemishteve me drejtim nga jugu lulëzojnë më herët;
  • Humbja varet nga lartësia e kurorës së pemës (sa më e lartë kurora e pemës, aq më e madhe është humbja);
  • Ushqimi me fitohormone dhe mikroelemente;
  • Mirëmbajtja e duhur e pemishtes.

Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave

Kuptimi i periudhës kritike të mollës është një nga mjetet më të rëndësishme për qëllime të sigurimit. Periudha kritike e mollës është përcaktuar periudha prej 20 mars deri me 15 maj (gjithsej 57 ditë).

20 mars – 9 prill – Ngricat pranverore (Faza I)

Kjo është faza e mugullimit të sythave dhe është faza më kritike në lidhje me ngricat e pranverës, pasi pjesa më e madhe e sythave, sidomos vezoret, janë shumë të ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta. Pagesat për shkak të ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit janë përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -5°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 10% për çdo ditë dhe çdo gradë.

10 prill – 30 prill – Ngricat pranverore (Faza II)

Kjo është faza e lulëzimit kur fillon lulëzimi. Periudha më e gjatë e lulëzimit lejon mundësi më të madhe të polenizimit normal, tretjes dhe mbjelljes së pemëve. Për çdo ditë të lulëzimit që ndodh më herët se data mesatare e lulëzimit, gjasat për ngrirje rriten. Nga faktorët e mësipërm, mund të shihet se lulëzimi ndodh në periudha të ndryshme në vende të ndryshme për të njëjtin varietet të mollëve. Në rajonet e Kosovës lulëzimi fillon më herët në rajonet me lartësi mbidetare më të ulët dhe më vonë në rajonet më lartësi mbidetare me të lartë si: Në Prizren (20 prill), Ferizaj (28 prill), dhe Dragash (12 maj).

Sapo të fillojë periudha e lulëzimit, një ngricë e madhe mund të shkaktojë dëme serioze për lule në varësi të kohëzgajtjes së ngricës. Pagesat për shkak të ngricave pranverore në mes të pranverës për këtë periudhë të mbulimit janë përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -4°C, por deri në -5°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura ditore është e barabartë ose nën -5°C, por deri në -6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100% për një ditë.

1 maj – 15 maj – Ngricat pranverore (Faza III)

Kjo është periudha e formimit të frutave. Frytet e posa formuara te pemëve frutore janë shumë të ndjeshme ndaj ngricave të vonshme pranvere Faza III. Pagesat për shkak të ngricave të vonshme pranvere për këtë periudhë të mbulimit janë përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë osë nën -1°C, por deri në -2°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -2°C, por deri në -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose nën -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100% për një ditë.

Në rast të prekjes se kufijve të dëmshpërblimit, do të llogaritet numri i ditëve nën kufijtë e përcaktuar, të cekura më poshtë. Pagesa totale e dëmshpërblimit është shuma e të gjitha dëmshpërblimeve për çdo rrezik specifik. Pagesa e dëmshpërblimit nuk mund të tejkalojë shumën prej 100% për të gjithë periudhën e siguruar.

Figura 1. Periudha kohore e mbulimit të rreziqeve te molla

Përcaktimi i çmimit të sigurimit

Përcaktimi i çmimit është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën pikë[1] dhe rezultatet janë në dispozicion në broshurën e çmimeve (primeve) për kulturën e mollës.

Të dhënat e nevojshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks të motit

Për sigurimin e bazuar në indeks të  motit, janë  përdorur të dhënat satelitore të  DTN (MeteoGroup i mëparshëm), në bazë të të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe më  vonë do të bëhet edhe vlerësimi i humbjeve. Këto komplete të dhënash të rrjetit (të griduara) ofrojnë të dhëna për motin për elementet (faktorët klimatik) për të cilët nuk ka në dispozicion të dhëna të vëzhguara. DTN ka ofruar të dhëna historike të motit për 104 pika brenda gjithë territorit të Kosovës, ku për secilën pikë (grid) ofron informacion me të dhëna moti për një sipërfaqe/ lokacion prej 10x10km.

Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave

Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave të dëmshpërblimit janë përcaktuar në bazë të kostove operative për prodhimin e mollës në vitin e tyre të plotë të prodhimit. Shuma e sigurimit ofrohet për dy mundësi zgjedhjeje (opsione) – koston maksimale të prodhimit dhe koston e zvogëluar të prodhimit. Këty dy shuma të sigurimit janë renditur më poshtë:  

  • Zgjedhja e parë                  EUR 4,350 për Ha;
  • Zgjedhja e dytë                  EUR 3,000 për Ha;

Kush mund të ofrojë sigurimin bujqësor?

Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të licencohen nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Siguruesit duhet t’ia dorëzojnë Divizionit për Menaxhim të Rrezikut (DMR) dokumentacionin e domosdoshëm për miratim dhe përfshirje në sistem, para se të fillohet me shitjen e polisave standarde të sigurimeve indeks.


[1] Pikë (grid)- të dhënat e MeteoGroup janë të dhëna satelitore ku për secilën pikë ofron informacion për një sipërfaqe prej 10x10km.