Sigurimi bujqësor për mjedrën e varietetit Polka
Mjedra është kulturë relativisht e re në tregun e Kosovës. Deri në 2016, përafërsisht 1,000 hektarë janë kultivuar me mjedra, ku afërsisht 97% të këtij prodhimi kanë qenë të dedikuara për eksport. Varietetet e mjedrave të kultivuara në Kosovë janë Polka, Willamette, Delniwa, Meeker, dhe Tulameen. Mjedra ka një marxhinë të lartë fitimi dhe nivel mesatar të rreziqeve të prodhimit, të cilat mund të zbuten nga sigurimet bujqësore.
Pasi që sigurimi bujqësor është në fazat fillestare në Kosovë, nuk ka ende ekspertizë të mjaftueshme në dispozicion. Duke marrë parasysh numrin e madh të fermave të vogla, me një mesatare të sipërfaqes së kultivuar prej 0.8 ha, është propozuar modeli i sigurimit bujqësor sipas modelit të indeksit të motit për mjedrën si modeli më i përshtatshëm dhe praktik për të filluar. Sigurimi tradicional kërkon ekspertizë të thellë dhe njohuri për sigurimin, vlerësimin e rrezikut dhe vlerësimin e humbjeve.
Përparësitë e modelit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë:
Rreziqet kryesore të mjedrës
Mjedrat ballafaqohen me rreziqe të ndryshme të motit por që rreziku më i madh i tyre vjen nga temperaturat e larta ekstreme gjatë stinës së verës. Pasiqë lulet zhvillohen gjatë verës, ata humbasin aftësinë për t’u bërë ballë temperaturave të larta dhe si pasojë e kësaj situate, zvogëlohet rendimenti. Prandaj, temperatura e larta janë një rrezik i madh për mjedrat.
Efekti i temperaturave të larta varet nga niveli i temperaturave të larta dhe kohëzgjatjes së ekspozimit, si dhe fazës së zhvillimit të frutit. Ka edhe rreziqe të tjera që mund të ndikojnë në rritjen dhe produktivitetin e mjedrave siç janë breshëri, era, dhe rënia e madhe e shiut. Megjithatë, për qëllimet e këtij produkti të sigurimit, janë marrë parasysh vetëm temperaturat e larta gjatë stinës së verës.
Fazat e zhvillimit të mjedrave janë të ndikuara nga faktorët e mëposhtëm:
- Lartësia mbidetare;
- Varësisht nga viti i prodhimit (gjatë vitit të dytë dhe të tretë, lulëzimi ndodh më herët për shkak se rrënja është më e zhvilluar);
- Ekspozicioni i pemishtes (i njëjti varietet lulëzon më herët me ekspozicion-orientim nga jugu dhe lindja krahasuar me ekspozicionin nga veriu dhe perëndimi);
- Pozicioni i pemishtes (rendet brenda pemishtes), veçanërisht drejtimet e rreshtave/ rendeve të pemishteve me drejtim nga jugu lulëzojnë më herët;
- Mirëmbajtja e duhur e pemishtes.
Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave
Kuptimi i periudhës kritike për mjedrat është një nga parametrat më të rëndësishëm për qëllime të sigurimit. Periudha kritike për mjedrat është nga 1 korrik deri më 31 gusht (62 ditë).
1 korrik – 31 gusht – Temperaturat jashtëzakonisht të larta (ekstreme)
Kjo është faza e lulëzimit dhe formimit të frutit në mënyrë të vazhdueshme. Periudha e lulëzimit fillon nga 1 korriku deri më 31 gusht. Periudha më e gjatë e lulëzimit lejon mundësi më të madhe të polenizimit të rregullt.
Për shkak të pozitës klimatike dhe strukturës së ndërlikuar të relievit, Kosova ka një larmi strukturash klimatike. Pozicioni i saj e bën Kosovën të ketë një klimë mesatare mesdhetare si dhe klimë kontinentale. Për këtë arsye, dimrat në Kosovë janë të ftohtë me temperatura mesatare nën 10°C, por ndonjëherë edhe nën -26°C dhe verat janë shumë të nxehta me një temperaturë mesatare prej 20°C, por ndonjëherë ato arrijnë deri në 37°C. Prandaj , për qëllimet e këtij produkti të sigurimit, ne kemi vëzhguar të dhënat historike të motit për një periudhë 20 vjeçare. Rezultatet treguan se disa pjesë të vendit janë më të ngrohta (kanë shënuar historikisht nivele më të larta të temperaturave gjatë stinës së verës) në krahasim me disa pjesë të tjera. Duke marrë parasysh këto analiza, për sigurimin indeks të mjedrës, janë përcaktuar tre nivele kufijsh, varësisht nga lokacioni (zona). Figura 1 më poshtë paraqet këtë ndarje, ku zonat e paraqitura përdoren për caktimin e kufirit në vende të ndryshme (rrjete). Me fjalë të tjera, kjo figurë tregon se cilat rrjeta (grida) i përkasin zonave të zgjedhura.
Figura 1. Zona e klimës dhe rrezikut bazuar në vlerësimin e rrezikut të temperaturave të larta sipas rrjetit (gridit)
Prandaj, kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e temperaturave jashtëzakonisht të larta për këtë periudhë të mbulimit për mjedër bëhet varësisht nga lokacioni (zona) ku ndodhet pemishtja. Llogaritja e pagesave të dëmshpërblimit për këtë periudhë mbulimi për secilin nivel kufiri/ zonë është përshkruar më poshtë:
Temperaturat e larta ekstreme (Niveli i parë i kufirit +29°C – Zona A)
Për një pjesë të vendit (nivelin e parë të kufirit), nëse temperaturat maksimale ditore janë më të larta ose të barabarta me +29°C përgjatë një periudhe njëmbëdhjetë ditore radhazi (pandërprerë), pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 20% e kostos së prodhimit (një pagesë për njëmbëdhjetë ditë ). Si dhe, për secilën ditë pas njëmbëdhjetë ditëve radhazi, nëse temperaturat maksimale ditore vazhdojnë të jenë më të larta ose të barabarta me +29°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 2.5% për secilën ditë.
Temperaturat e larta ekstreme (Niveli i dytë i kufirit +30°C – Zona B)
Për një pjesë tjetër të vendit (nivelin e dytë të kufirit), nëse temperaturat maksimale ditore janë më të larta ose të barabarta me +30°C përgjatë një periudhe njëmbëdhjetë ditore radhazi (pandërprerë), pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 20% e kostos së prodhimit (një pagesë për njëmbëdhjetë ditë). Si dhe, për secilën ditë pas njëmbëdhjetë ditëve radhazi, nëse temperaturat maksimale ditore vazhdojnë të jenë më të larta ose të barabarta me +30°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 2.5% për secilën ditë.
Temperaturat e larta ekstreme (Niveli i tretë i kufirit +31°C – Zona C)
Së fundmi, pagesa e dëmshpërblimit llogaritet njësoj për pjesën tjetër të vendit (nivelin e tretë të kufirit), ku kufiri i përcaktuar i temperaturave të larta është +31°C.
Në rast të prekjes se kufijve të dëmshpërblimit, do të llogaritet numri i ditëve nën kufijtë e përcaktuar, të cekura më poshtë. Pagesa totale e dëmshpërblimit është shuma e të gjitha dëmshpërblimeve për çdo rrezik specifik. Pagesa e dëmshpërblimit nuk mund të tejkalojë shumën prej 100% për të gjithë periudhën e siguruar.
Figura 2. Periudha kohore e mbulimit të rreziqeve te mjedra
Përcaktimi i çmimit të sigurimit
Përcaktimi i primit të sigurimit është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën pikë (grid) dhe primet janë në dispozicion në broshurën e çmimeve (primeve) për kulturën e mjedrës.
Të dhënat e nevojshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks të motit
Për sigurimin e bazuar në indeks të motit, janë përdorur të dhënat satelitore të DTN (MeteoGroup i mëparshëm), në bazë të të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe më vonë do të bëhet edhe vlerësimi i humbjeve. Këto komplete të dhënash të rrjetit (të griduara) ofrojnë të dhëna për motin për elementet (faktorët klimatik) për të cilët nuk ka në dispozicion të dhëna të vëzhguara. DTN ka ofruar të dhëna historike të motit për 104 pika brenda gjithë territorit të Kosovës, ku për secilën pikë (grid) ofron informacion me të dhëna moti për një sipërfaqe/ lokacion prej 10x10km.
Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave
Shuma e Siguruar/ Limitet e Pagesave të dëmshpërblimit janë përcaktuar në bazë të kostove operative për kultivimin e mjedrës në vitin e tyre të plotë të prodhimit. Shuma e sigurimit si kosto operative ofrohet për një mundësi zgjedhjeje (opsion). Për këtë vit, kostoja operative e konsideruar është llogaritur në shumën prej 2,100 Euro/ Ha.
Kush mund të ofrojë sigurim bujqësor?
Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të licencohen nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Siguruesit duhet t’ia dorëzojnë Divizionit për Menaxhim të Rrezikut (DMR) dokumentacionin e domosdoshëm për miratim dhe përfshirje në sistem, para se të fillohet me shitjen e polisave standarde të sigurimeve indeks.