Sigurimi bujqësor për dredhëzat
Gjatë viteve të fundit, dredhëza është kultivuar me sukses në Kosovë. Kultivimi intensiv i dredhëzave është zhvilluar mirë në mesin e shumë fermerëve të Kosovës. Në 2016, mbi 203 ha me dredhëz janë mbjellë në të gjithë Kosovën. I gjithë prodhimi është dedikuar tregut lokal. Në përgjithësi, dredhëza karakterizohet si kulturë shumë fitimprurëse.
Pasi që sigurimi bujqësor është në fazat fillestare në Kosovë, nuk ka ende ekspertizë të mjaftueshme në dispozicion. Duke marrë parasysh numrin e madh të fermave të vogla, me një mesatare prej 0.5 ha, modeli i sigurimit bujqësor i bazuar në indeks të motit për dredhëzën është propozuar, si modeli më i përshtatshëm dhe më praktik për të filluar. Sigurimi tradicional kërkon ekspertizë të thellë dhe njohuri për sigurimin, vlerësimin e rrezikut dhe vlerësimin e humbjeve.
Përparësitë e modelit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë:
Rreziqet kryesore për dredhëzën
Dredhëzat janë kultura të hershme pranverore. Për shkak të lulëzimit të tyre të hershëm, ngricat pranverore paraqesin kërcënimin kryesor. Efekti i ngricave pranverore tek dredhëza varet nga shkalla e temperaturës minimale dhe kohëzgjatja e ekspozimit, si dhe nga fenofaza e zhvillimit të sythit, luleve dhe frytit të sapoformuar. Ka edhe rreziqe të tjera që mund të ndikojnë në zvogëlimin e rendimentit të dredhëzës si era, breshëri, dhe shiu i tepërt. Megjithatë, për qëllimet e këtij produkti, u konsideruan vetëm temperaturat e ulëta gjatë stinës së pranverës.
Fazat e zhvillimit të dredhëzave janë të ndikuara nga faktorët e mëposhtëm:
- Lartësia mbidetare;
- Varësisht nga viti i prodhimit (gjatë vitit të dytë dhe të tretë, lulëzimi ndodh më herët për shkak se rrënja është më e zhvilluar);
- Ekspozicioni i pemishtes (i njëjti varietet lulëzon më herët me ekspozicion-orientim nga jugu dhe lindja krahasuar me ekspozicionin nga veriu dhe perëndimi);
- Pozicioni i pemishtes (rendet brenda pemishtes), veçanërisht drejtimet e rreshtave/ rendeve të pemishteve me drejtim nga jugu lulëzojnë më herët;
- Mirëmbajtja e duhur e pemishtes.
Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave
Të kuptuarit e periudhës kritike të rritjes së dredhëzave është një nga parametrat më të rëndësishëm për qëllime të sigurimit. Periudha kritike e dredhëzës është përcaktuar periudha prej 1 Mars-it deri më 30 Prill (61 ditë).
1 mars – 14 mars – Ngricat pranverore (Faza I)
Kjo periudhë është faza e mugullimit së sythave dhe është faza më kritike në raport me temperaturat e ulëta pasi që pjesa dërmuese e sythave, në veçanti vezoret, janë të ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta. Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:
Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -10°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 5%, për secilën ditë dhe për secilën gradë nën -10°C.
15 mars – 31 mars – Ngricat pranverore (Faza II)
Periudha e lulëzimit është periudhë kritike për zhvillimin e dredhëzave, duke marrë parasysh që gjatë kësaj periudhe fillojnë të lulëzojne lulet dhe ato janë shumë të ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta.
Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:
Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -5°C, por deri në -6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -6°C, por deri në -7°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët (më ftohtë) se -7°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100% për ditë.
1 prill – 30 prill – Ngricat pranverore (Faza III)
Formimi i frutit është periudha e fundit e zhvillimit të dredhëzave. Edhe në këtë periudhë mund të ndodh dëmtimi nga temperaturat e ulëta. Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:
Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -6°C, por deri në -7°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për ditë. Nëse temperatura minimale ditore është e barabartë ose më e ulët se -7°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100% për ditë.
Në rast të prekjes se kufijve të dëmshpërblimit, do të llogaritet numri i ditëve nën kufijtë e përcaktuar, të cekura më poshtë. Pagesa totale e dëmshpërblimit është shuma e të gjitha dëmshpërblimeve për çdo rrezik specifik. Pagesa e dëmshpërblimit nuk mund të tejkalojë shumën prej 100% për të gjithë periudhën e siguruar.
Figura 1. Periudha kohore e mbulimit të rreziqeve te dredhëza
Përcaktimi i primit të sigurimit
Përcaktimi i primit të sigurimit është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën pikë[1] dhe rezultatet janë në dispozicion në broshurën e çmimeve (primeve) për kulturën e dredhëzës.
Të dhënat e nevojshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks të motit
Për sigurimin e bazuar në indeks të motit, janë përdorur të dhënat satelitore të DTN (MeteoGroup i mëparshëm), në bazë të të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe më vonë do të bëhet edhe vlerësimi i humbjeve. Këto komplete të dhënash të rrjetit (të griduara) ofrojnë të dhëna për motin për elementet (faktorët klimatik) për të cilët nuk ka në dispozicion të dhëna të vëzhguara. DTN ka ofruar të dhëna historike të motit për 104 pika brenda gjithë territorit të Kosovës, ku për secilën pikë (grid) ofron informacion me të dhëna moti për një sipërfaqe/ lokacion prej 10x10km.
Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave
Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave të dëmshpërblimit janë përcaktuar në bazë të kostove operative për kultivimin e dredhëzës. Shuma e sigurimit si kosto operative ofrohet për një mundësi zgjedhjeje (opsion). Për këtë vit, kostoja operative e konsideruar është llogaritur në shumën prej 3,700 Euro/ ha.
Kush mund të sigurojë sigurimin bujqësor?
Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të licencohen nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Siguruesit duhet t’ia dorëzojnë Divizionit për Menaxhim të Rrezikut (DMR) dokumentacionin e domosdoshëm për miratim dhe përfshirje në sistem, para se të fillohet me shitjen e polisave standarde të sigurimeve indeks.
[1] Pikë (grid)- të dhënat e MeteoGroup janë të dhëna satelitore, ku për secilën pikë ofrohen të dhëna të motit për një sipërfaqe prej 10x10km të territorit të Kosovës.