Sigurimi bujqësor për specin
Speci është një ndër perimet më të rëndësishme në Kosovë në kuptim të sipërfaqes së mbjellur. Në vitin 2015 më shumë se 3,000 hektarë janë mbjellur me speca. Numri total i fermerëve të subvencionuar në vitin 2015 ka qenë 1,138 me një sipërfaqe totale të subvencionuar prej 1,356 hektarëve. Kjo kulturë kultivohet më së shumti në rajonin e Dukagjinit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit.
Pasi që sigurimi bujqësor është në fazat fillestare në Kosovë, nuk ka ende ekspertizë të mjaftueshme në dispozicion. Duke marrë parasysh numrin e madh të fermave me përmasa të vogla, me një mesatare prej 1.19 ha, është propozuar modeli i sigurimit sipas indeksit të motit për speca si modeli më i përshtatshëm dhe praktik për të filluar me të. Sigurimi tradicional kërkon ekspertizë të thellë dhe njohuri për sigurimin, vlerësimin e rrezikut dhe vlerësimin e humbjeve. Përparësitë e modelit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë:
- Sigurimi indeks mundëson mbulimin për fermerë të vegjël dhe individual;
Rreziqet kryesore për specin
Periudha e mbjelljes së specave të kultivuar në fusha të hapura varet nga rajoni. Në rajonin e Dukagjinit, periudha e mbjelljes bëhet gjatë fundit të prillit deri në dekadën e parë të majit, derisa në rajonin e Kosovës, kjo periudhë fillon më vonë- prej datave 1 qershor deri me 10 qershor, duke përjashtuar komunën e Podujevës, ku mbjellja kryhet edhe më vonë, prej datave 15 qershor deri më 25 qershor. Për qëllime të këtij modeli të sigurimit, përqendrimi është tek reshjet e tepërta tw shiut (shirat e mwdha). Rreziku ka efekt të lartë negativ, pasi që në situata kur mbjellja bëhet mbi lagështi, kjo gjendje krijon mjedis të përshtatshëm për zhvillim të sëmundjeve. Sëmundjet më të rëndomta të bimës së specit janë djegia bakteriale, kalbëzimi, sëmundja e rrënjës dhe kërcellit, dhe hiri i specave. Për shkak që sasia e reshjeve të shiut dallon nga rajoni ku kultivohet speci, edhe rreziku i shirave (reshjeve) të mëdha ka rrezikshmëri shumë më të lartë në rajonin e Dukagjinit, pasiqë sasia më e madhe e reshjeve bie në periudhën kohore nga mesi i muajit maj deri në dekadën e parë të qershorit. Për këtë arsye, ky produkt i sigurimit ofrohet vetëm për këtë rajon.
Fazat e zhvillimit të specave janë të ndikuara nga faktorët e mëposhtëm:
- Për specin kërkohet më shumë nxehtësi sesa për domatet. Në temperaturën nën 15ºC, si dhe në atë mbi 36ºC, ndalet zhvillimi;
- Rezultatet më të mira të kultivimit të specave mund të arrihen në tokat e thella, të kulluara dhe tokë të pasur me humus;
- Është shfrytëzues i madh i ujit, i cili kërkon rënien e shiut dhe ujitjen prej 30-40 mm ose (30-40 l/m2) të sasisë së ujit. Për shkak të fuqisë së dobët të rrënjës për absorbim, kërkon më shumë ujitje; dhe,
- Vendndodhja – orientimi gjeografik i sipërfaqes së mbjellur (i njëjti varietet/ hibrid lulëzon më herët nëse parcela është e orientuar nga jugu dhe lindja, krahasuar me parcelat e orientuara nga veriperëndimi). Sidoqoftë, nuk ka dallime të mëdha mes datave të lulëzimit ndërmjet rajoneve të ndryshme.
Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave
Kuptimi i periudhës kritike të specit është një nga parametrat më të rëndësishëm për qëllime të sigurimit. Periudha kritike e specave në rajonin e Dukagjinit është periudha prej 15 maj deri me 10 qershor (gjithsejt 27 ditë), periudha me reshje të mëdha të shiut.
15 maj – 10 qershor – shirat e tepërta
Kjo është faza e rritjes, degëzimit, lulëzimit dhe formimit të frutave të specit. Rritja, degëzimi, lulëzimi dhe formimi i frutave rrit nevojën për ujë. Rezultatet e testeve tregojnë që specat nga gjysma e dytë e qershorit deri në fundin e periudhës së vjeljes konsumojnw çdo ditë nga 3.5-4 mm ujë dhe në fazën e nevojës më të madhe për ujë, konsumimi shkon përtej 6 mm. Sidoqoftë, ngjarjet me reshje të mëdha ndodhin një herë në 6-7 vjet dhe shkaktojnë humbje të rendimentit deri në 40-50%.Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e reshjeve të tepërta të shiut për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:
Nëse gjatë periudhës së sigurimit do të akumulohen reshjet e shiut që tejkalojnë ose janë të barabartë me 110mm, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 20%. Për cdo 10mm përtej 110mm, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 20%. Pagesa e dëmshpërblimit nuk mund të tejkalojë shumën prej 100% për të gjithë periudhën e siguruar.
Figura 1. Periudha kohore e mbulimit të rreziqeve te speci
Përcaktimi i çmimit të sigurimit
Përcaktimi i çmimit është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën pikë (grid) dhe rezultatet janë në dispozicion në broshurën e çmimeve (primeve) për kulturën e specit.
Të dhënat e nevojshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks
Për sigurimin e bazuar në indeks të motit, janë përdorur të dhënat satelitore të DTN (MeteoGroup i mëparshëm), në bazë të të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe më vonë do të bëhet edhe vlerësimi i humbjeve. Këto komplete të dhënash të rrjetit (të griduara) ofrojnë të dhëna për motin për elementet (faktorët klimatik) për të cilët nuk ka në dispozicion të dhëna të vëzhguara. DTN ka ofruar të dhëna historike të motit për 104 pika brenda gjithë territorit të Kosovës, ku për secilën pikë (grid) ofron informacion me të dhëna moti për një sipërfaqe/ lokacion prej 10x10km.
Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave
Shuma e siguruar/ Limitet e pagesave të dëmshpërblimit janë përcaktuar në bazë të kostove operative për prodhimin e specit. Shuma e sigurimit ofrohet për dy mundësi zgjedhjeje (opsione) – koston maksimale të prodhimit dhe koston e zvogëluar të prodhimit. Këty dy shuma të sigurimit janë renditur më poshtë:
- Zgjedhja e parë EUR 3,550 për Ha;
- Zgjedhja e dytë EUR 3,100 për Ha;
Kush mund të ofrojë sigurimin bujqësor?
Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të licencohen nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Siguruesit duhet t’ia dorëzojnë Divizionit për Menaxhim të Rrezikut (DMR) dokumentacionin e domosdoshëm për miratim dhe përfshirje në sistem, para se të fillohet me shitjen e polisave standarde të sigurimeve indeks.