Sigurimi Bujqësor për rrushin

Rrushi është një nga pemët më të vjetra që fermerët kultivojnë në Kosovë. Kultivimi i rrushit është i përqendruar në pjesën jugperëndimore të Kosovës, kryesisht në rajonin e Prizrenit dhe Gjakovës. Të dy llojet e rrushit (rrushi i tryezës dhe rrushi i verës) kultivohet në Kosovë. Në vitin 2015, gjithsej 3,068 hektarë u kultivuan me rrush, ku 2,321 hektarë u përdorën për prodhimin e rrushit të verës, ndërsa 747 hektarë u përdorën për prodhimin e rrushit për tryeza.

Ekzistojnë disa varietete të rrushit që janë të përhapura në treg si: Demir kapi, Afus Ale, Muskati i Hamburgut, Kardinal, Vranac, Cabernet, Smederevka, Pinot, Game, Black burgundies, Shardone, Rizling Rajne, Shiraz, Sheshi i zi etj.

Pasi që sigurimi bujqësor nuk është ende i zhvilluar në Kosovë, nuk ka ekspertizë në dispozicion. Duke marrë parasysh numrin e madh të fermave të vogla, është propozuar modeli i sigurimit bujqësor sipas modelit të indeksit të motit për rrushin si modeli më i përshtatshëm dhe praktik për të filluar. Sigurimi tradicional kërkon ekspertizë të thellë dhe njohuri për sigurimin, vlerësimin e rrezikut dhe vlerësimin e humbjeve.

Përparësitë e modelit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë:

  • Sigurimi indeks mundëson mbulimin edhe për fermerë të vegjël dhe individual;
  • Për personelin e kompanive të sigurimit nuk kërkohet specializim në bujqësi;
  • Nuk kërkohet ndonjë ekspertizë për t’i shitur polisat;
  • Nuk kërkohet të kryhet ndonjë vlerësim i humbjeve për humbjet e shkaktuara;
  • Sigurimi indeks është transparent pasi që lejon të siguruarit që të kenë qasje të drejtpërdrejtë në informatat në të cilat do të llogariten pagesat;
  • Nuk është prezent rreziku i përzgjedhjes së pafavorshme;
  • Nuk ka rrezik moral; dhe
  • Kosto të ulëta operative dhe të transaksionit.

Rreziqet kryesore të rrushit

Rrushi përballet me shumë rreziqe të motit që mund të dëmtojnë sythat, lulet dhe frutat e tyre. Gjatë periudhës së dimrit, hardhia e rrushit mund të përballojnë temperatura të ftohta deri në një kufi të caktuar. Meqë hardhitë e rrushit fillojnë aktivitetet e zhvillimit në pranverë dhe sythat fillojnë të rriten, ato e humbasin aftësinë për të përballuar ngricat pranverore.

Prandaj, ngricat pranverore konsiderohen si rreziku ma i madh për rrushin. Efekti i ngricave tek rrushi varet në temperaturën minimale dhe kohëzgjatjen e ekspozimit, si dhe nga fenofaza e zhvillimit të sythit, luleve dhe frytit të sapoformuar. Ka edhe rreziqe të tjera që mund të ndikojnë në zvogëlimin e rendimentit të rrushit si era, breshri, shiu i tepërt etj. Megjithatë, për qëllimet e këtij produkti, u konsideruan vetëm temperaturat e ulëta gjatë stinës së pranverës. 

Fazat e zhvillimit të rrushit janë të ndikuara nga faktorët e mëposhtëm:

  • Lartësia mbidetare;
  • Mosha e hardhisë së rrushit (sa ma e vjetër hardhia, lulëzimi ndodh më herët);
  • Ashpërsia e prerjeve gjatë krasitjes;
  • Ekspozicioni i vreshtit (i njëjti varietet lulëzon më herët me ekspozicion nga jugu dhe lindja krahasuar me ekspozicionin nga veriu dhe perëndimi);
  • Pozicioni i vreshtit, veçanërisht drejtimet e rreshtave të vreshtave (veri dhe jug);
  • Mirëmbajtja e vreshtit.

Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave

Kuptimi i periudhës kritike për rrushin është një nga parametrat më të rëndësishëm për qëllime të sigurimit. Periudha kritike për rrushin është përcaktuar periudha prej 1 dhjetorit deri më 15 Maj      ( gjithsejt 166 ditë).

1 dhjetor – 19 mars – Temperaturat ekstreme të ulëta

Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e temperaturave ekstreme të ulëta për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është më të ulët ose e barabartë me -30°C, sythat e rrushit do të dëmtohen dhe pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100%.

20 mars – 9 prill – Ngricat pranverore (Faza I)

Kjo është faza e mugullimit të sythave dhe është fazë kritike në lidhje me ngricat e pranverës, pasi pjesa më e madhe e sythave, janë shumë të ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta.

Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -5°C por më e lartë se-6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 40% për ditë. Nëse temperatura është më e ulët ose e barabartë me -6°C por më e lartë se -7°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 60% për ditë. Nëse temperatura është më e ulët ose e barabartë me -7°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 80% për ditë.

10 prill – 30 prill – Ngricat pranverore (Faza II)

Kjo është faza kur fillon lulëzimi. Sa më e gjatë periudha e lulëzimit krijohen kushte më të favorshme për polenizim. Nëse lulëzimi ndodh më herët se periudha e zakonshme kur ndodh lulëzimi, mundësia që të ndodh dëmi rritet. Nga faktorët e mësipërm, mund të shihet se lulëzimi ndodh në periudha të ndryshme në vende të ndryshme për të njëjtin varietet të rrushit.

Gjatë periudhës së lulëzimit, ngicat mund të shkaktojë dëme serioze për lulen në varësi të kohë zgjatjes së ngricës.

Pagesat për shkak të ngricës në mes të pranverës për këtë periudhë të mbulimit janë përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura ditore është më e ulët ose e barabartë me -2°C por më e lartë se -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura ditore është më e ulët ose e  barabartë me -3°C por më e lartë se  -4 °C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për çdo ditë. Nëse temperatura ditore është më e ulët ose e barabartë me -4 °C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 70% për çdo ditë.

1 maj – 15 maj – Ngricat pranverore (Faza III)

Kjo është periudha e formimit të frutave. Frutat e posaformuara të rrushit  janë shumë të ndjeshme ndaj ngricave të vonshme pranverore në këtë periudhë kohore.

Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -1°C por më e lartë se -2°C , pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për ditë. Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -2°C por më e lartë se -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për ditë. Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 80% për ditë.

Në rast të prekjes se kufijve të dëmshpërblimit, do të llogaritet numri i ditëve në të cilat kufijtë e përcaktuar janë prekur. Pagesa totale e dëmshpërblimit është shuma e të gjitha dëmshpërblimeve për çdo periudhë rreziku.

Pagesa e dëmshpërblimit nuk mund të tejkalojë 100% për të gjithë periudhën e siguruar.

Tabela 1 – Periudha kohore e rreziqeve të rrushit

Përcaktimi i primit të sigurimit

Përcaktimi i primit të sigurimit është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën grid (pikë)[1] dhe janë në dispozicion në broshurën e primeve për kulturën e rrushit.

Të dhënat e domosdoshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks

Të dhënat e MeteoGroup janë të dhëna satelitore në bazë të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe do të bëhet vlerësimi i humbjeve. MeteoGroup ofron të dhëna të përditësuara për 104 pika brenda territorit të Kosovës. 

Shuma e siguruar/Limitet e pagesave

Shuma e siguruar/Limitet e pagesave do të përcaktohen në bazë të kostove operative për prodhimin e rrushit në vitin e tyre të plotë të prodhimit, në varësi të tipit/modelit të vreshtit.        Kostot operative të përfshira janë renditur më poshtë:

  • Vreshti  1,300 €/ha në vitin e plotë të prodhimit.

Kush mund të ofrojë sigurimin bujqësor?

Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të jenë të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).


[1] Grid – të dhënat nëpër pika të MeteoGroup janë të dhëna satelitore, ku secila pikë ofron të dhëna të motit për një sipërfaqe prej 10x10km të territorit të Kosovës.