Sigurimi bujqësor për molla

Molla është një nga pemët më të vjetra që fermerët kultivojnë në Kosovë. Ka shumë varietete të mollës të prodhuara dhe të tregtuara në tërë Kosovën. Aktualisht në Kosovë kultivohen rreth 2,000 hektarë me mollë të varieteteve të ndryshme. Varietetet më të zakonshme të mollëve për nga fazat e lulëzimit janë renditur më poshtë:

  • Mollët të cilat lulëzojnë herët: Super Chief, Idared, Mutsu;
  • Mollët të cilat lulëzojnë vonë: Golden Reinders, Granny Smith dhe Fuji.

Pasi që sigurimi bujqësorë nuk është ende i zhvilluar në Kosovë, nuk ka ekspertizë në dispozicion. Duke marrë parasysh numrin e madh të fermave të vogla, me një mesatare prej 2 ha, është propozuar modeli i sigurimit bujqësorë sipas modelit të indeksit të motit për mollën si modeli më i përshtatshëm dhe praktik për të filluar. Sigurimi tradicional kërkon ekspertizë të thellë dhe njohuri për sigurimin, vlerësimin e rrezikut dhe vlerësimin e humbjeve.

Përparësitë e modelit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë:

  • Sigurimi indeks mundëson mbulimin për fermerë të vegjël dhe individual;
  • Për personelin e kompanive të sigurimit nuk kërkohet specializim në bujqësi;
  • Nuk kërkohet ekspertizë e marrjes në sigurim për t’i shitur polisat;
  • Nuk kërkohet të kryhet ndonjë vlerësim i humbjeve për humbjet e shkaktuara;
  • Sigurimi indeks është transparent pasi që lejon të siguruarit që të kenë qasje të drejtpërdrejtë në informatat në të cilat do të llogariten pagesat;
  • Nuk është prezent rreziku i përzgjedhjes së pafavorshme;
  • Nuk ka rrezik moral; dhe
  • Kosto të ulëta operative dhe të transaksionit.

Rreziqet kryesore për mollën

Molla përballet me shumë rreziqe të motit që mund të dëmtojnë sythat, lulet dhe frutat e tyre. Gjatë periudhës së dimrit, pemët frutore mund të përballojnë temperatura shumë të ftohta. Meqë pemët frutore zhvillohen në pranverë dhe sythat fillojnë të rriten, ato e humbasin aftësinë për të përballuar ngricat pranverore.

Prandaj, ngricat pranverore konsiderohen si rreziku ma i madh për mollën. Efekti i ngricave tek molla varet nga sa është temperatura minimale dhe kohëzgjatja e ekspozimit, si dhe nga fenofaza e zhvillimit të sythit, luleve dhe frytit të sapoformuar. Ka edhe rreziqe të tjera që mund të ndikojnë në zvogëlimin e rendimentit të mollës si era, breshri, shiu i tepërt etj. Megjithatë, për qëllimet e këtij produkti, u konsideruan vetëm temperaturat e ulëta gjatë stinës së pranverës.  

Fazat e zhvillimit të mollës ndikohen nga faktorët e mëposhtëm:

  • Lartësia mbidetare;
  • Nënshartesa (Mollët lulëzojnë më herët nëse janë shartuar në nënshartesa vegjetative me bujshmëri të dobët);

Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave

Kuptimi i periudhës kritike të mollës është një nga parametrat më të rëndësishëm për qëllime të sigurimit. Periudha kritike e mollës është përcaktuar periudha prej 20 mars deri me 15 maj (gjithsejt 57 ditë).

20 mars – 9 prill – Ngricat pranverore (Faza I)

Kjo është faza e mugullimit të sythave dhe është fazë kritike në lidhje me ngricat e pranverës, pasi pjesa më e madhe e sythave, sidomos vezoret, janë shumë të ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta.

Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -5°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 10% e kostos së prodhimit për çdo ditë dhe për çdo gradë celsius.

10 prill – 30 prill – Ngricat pranverore (Faza II)

Kjo është faza kur fillon lulëzimi. Sa më e gjatë periudha e lulëzimit krijohen kushte më të favorshme për polenizim. Nëse lulëzimi ndodh më herët se periudha e zakonshme kur ndodh lulëzimi, mundësia që të ndodh dëmi rritet. Nga faktorët e mësipërm, mund të shihet se lulëzimi ndodh në periudha të ndryshme në vende të ndryshme për të njëjtin varietet të mollëve. Në Kosovë lulëzimi fillon më herët në rajonet me lartësi mbidetare më të ulët dhe më vonë në rajonet më lartësi mbidetare me të lartë si: Në Prizren (20 prill), Ferizaj (28 prill), dhe Dragash (12 maj).

Gjatë periudhës së lulëzimit, ngicat mund të shkaktojë dëme serioze për lulen në varësi të kohë zgjatjes së ngricës.

Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -4°C por më e lartë se -5°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura ditore është më e ulët ose e barabartë me -5°C por më e lartë se -6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100% për një ditë.

1 maj – 15 maj – Ngricat pranverore (Faza III)

Kjo është periudha e formimit të frutave. Frutat e posaformuara të pemëve janë shumë të ndjeshme ndaj ngricave të vonshme pranverore në këtë periudhë kohore.

Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -1°C por më e lartë se -2°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -2°C, por më e lartë se -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100%.

Në rast të prekjes se kufijve të dëmshpërblimit, do të llogaritet numri i ditëve në të cilat kufijtë e përcaktuar janë prekur. Pagesa totale e dëmshpërblimit është shuma e të gjitha dëmshpërblimeve për çdo rrezik specifik.

Pagesa e dëmshpërblimit nuk mund të tejkalojë 100% të kostos së prodhimit për të gjithë periudhën e siguruar.

Tabela 1 – Periudhat kohore të rreziqeve të mollës

Përcaktimi i primit të sigurimit

Përcaktimi i primit të sigurimit (çmimit) është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën pikë[1] dhe janë në dispozicion në broshurën e primeve për kulturën e mollës.

Të dhënat e domosdoshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks të motit

Të dhënat e MeteoGroup janë të dhëna satelitore në bazë të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe do të bëhet vlerësimi i humbjeve. MeteoGroup ka ofruar të dhëna historike të motit për 104 pika brenda territorit të Kosovës. 

Shuma e siguruar / Limitet e pagesave

Shuma e siguruar/Limitet e pagesave do të përcaktohen në bazë të kostove operative për prodhimin e mollës në vitin e tyre të plotë të prodhimit, në varësi të tipit/modelit të pemishtes Kostot operative të përfshira janë renditur më poshtë:

  • Pemishte intensive        –  4,300 €/ha;
  • Pemishte gjysëm-intensive – 3,000 €/ha;
  • Pemishte tradicionale      – 1,700 €/ha.

Kush mund të ofrojë sigurimin bujqësor?

Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të jenë të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).


[1] Pikë (grid)- të dhënat e MeteoGroup janë të dhëna satelitore ku për secilën pikë ofron informacion për një sipërfaqe prej 10x10km.