Sigurimi bujqësor për kumbulla

Kumbulla është një nga pemët më të vjetra që fermerët kultivojnë në Kosovë. Ka shumë varietete të kumbullës të prodhuara dhe të tregtuara në tërë Kosovën. Në 2015, në Kosovë ishin 1,518 hektarë me kumbull të varieteteve të ndryshme. Varietetet më të përhapura të kumbullave në Kosovë janë:

– E hershmja e Cacakut, Stanley, and Pozhega.

Pasi që sigurimi i bujqësisë nuk është ende i zhvilluar në Kosovë, nuk ka ekspertizë. Duke marrë parasysh numrin e madh të fermave me të vogla, -një mesatare prej 0.5 ha, modeli i sigurimit sipas indeksit të motit për kumbullën është propozuar si modeli më i përshtatshëm dhe më praktik për të filluar me të. Sigurimi tradicional kërkon ekspertizë të thellë dhe njohuri për sigurimin, vlerësimin e rrezikut dhe vlerësimin e humbjeve.

Përparësitë e modelit të sigurimit të indeksit në krahasim me sigurimin tradicional janë renditur më poshtë:

  • Sigurimi indeks mundëson mbulimin për bujq të vegjël dhe individual;
  • Për personelin e kompanive të sigurimit nuk kërkohet specializim në bujqësi;
  • Nuk kërkohet ndonjë ekspertizë për t’i shitur polisat;
  • Nuk kërkohet të kryhet ndonjë vlerësim i humbjeve për humbjet e shkaktuara;
  • Sigurimi indeks është transparent pasi që lejon policë mbajtësit që të kenë qasje të drejtpërdrejtë në informatat në të cilat do të llogariten pagesat;
  • Nuk është prezent rreziku i përzgjedhjes së pafavorshme;
  • Nuk ka rrezik moral; dhe
  • Kosto të ulëta operative dhe të transaksionit.

Rreziqet kryesore për kumbulla 

Kumbulla përballet me shumë rreziqe të motit që mund të dëmtojnë sythat, lulet dhe frutat e tyre. Gjatë periudhës së dimrit, pemët frutore mund të përballojnë temperatura shumë të ftohta. Meqë pemët frutore zhvillohen në pranverë dhe sythat fillojnë të rriten, ato e humbasin aftësinë për të përballuar ngricat pranverore.

Prandaj, ngricat pranverore konsiderohen si rreziku ma i madh për kumbullën. Efekti i ngricave tek kumbulla varet nga sa është temperatura minimale dhe kohëzgjatja e ekspozimit, si dhe nga fenofaza e zhvillimit të sythit, luleve dhe frytit të sapoformuar. Ka edhe rreziqe të tjera që mund të ndikojnë në zvogëlimin e rendimentit të kumbullës si era, breshëri, shiu i tepërt etj. Megjithatë, për qëllimet e këtij produkti, u konsideruan vetëm temperaturat e ulëta gjatë stinës së pranverës. 

Fazat e zhvillimit të kumbullave janë të ndikuara nga faktorët e mëposhtëm:  

  • Lartësia mbidetare;
  • Nënshartesa;
  • Mosha e pemës (sa ma e vjetër pema, lulëzimi ndodh më herët);
  • Ashpërsia e prerjeve gjatë krasitjes;
  • Ekspozicioni i pemishtës (i njëjti varietet lulëzon më herët me ekspozicion nga jugu dhe lindja krahasuar me ekspozicionin nga veriu dhe perëndimi);
  • Pozicioni i pemishtes, veçanërisht drejtimet e rreshtave të pemishteve (veri dhe jug);
  • Mirëmbajtja e duhur e pemishtes.

Periudhat e mbulimit, kufijtë dhe limitet e pagesave

Kuptimi i periudhës kritike të kumbullës është një nga parametrat më të rëndësishëm për qëllime të sigurimit. Periudha kritike e kumbullës është përcaktuar periudha prej 20 mars deri me 15 maj (gjithsejt 57 ditë).

20 mars – 9 prill – Ngricat pranverore (Faza I)

Kjo është faza e mugullimit të sythave dhe është fazë kritike në lidhje me ngricat e pranverës, pasi pjesa më e madhe e sythave, sidomos vezoret, janë shumë të ndjeshme ndaj temperaturave të ulëta.

Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -5°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 10% e kostos së prodhimit për çdo ditë dhe për çdo gradë celsius.

10 prill – 30 prill – Ngricat pranverore (Faza II)

Kjo është faza kur fillon lulëzimi. Sa më e gjatë periudha e lulëzimit krijohen kushte më të favorshme për polenizim. Nëse lulëzimi ndodh më herët se periudha e zakonshme kur ndodh lulëzimi, mundësia që të ndodh dëmi rritet. Nga faktorët e mësipërm, mund të shihet se lulëzimi ndodh në periudha të ndryshme në vende të ndryshme për të njëjtin varietet të kumbullave. Në Kosovë lulëzimi fillon më herët në rajonet me lartësi mbidetare më të ulët dhe më vonë në rajonet më lartësi mbidetare me të lartë si: Në Prizren (20 prill), Ferizaj (28 prill), dhe Dragash (12 maj).

Gjatë periudhës së lulëzimit, ngricat mund të shkaktojë dëme serioze për lulen në varësi të kohë zgjatjes së ngricës. Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -4°C por më e lartë se -5°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura ditore është më e ulët ose e barabartë me -5°C por më e lartë se -6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -6°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100% për një ditë.

1 maj – 15 maj – Ngricat pranverore (Faza III)

Kjo është periudha e formimit të frutave. Frutat e posaformuara të pemëve janë shumë të ndjeshme ndaj ngricave të vonshme pranverore.

Kalkulimi i dëmshpërblimeve si pasojë e ngricave pranverore për këtë periudhë të mbulimit është përshkruar më poshtë:

Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -1°C por më e lartë se -2°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 25% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë me -2°C, por më e lartë se -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 50% për çdo ditë. Nëse temperatura minimale ditore është më e ulët ose e barabartë -3°C, pagesa e dëmshpërblimit do të jetë 100% për një ditë.

Në rast të prekjes se kufijve të dëmshpërblimit, do të llogaritet numri i ditëve në të cilat kufijtë e përcaktuar janë prekur. Pagesa totale e dëmshpërblimit është shuma e të gjitha dëmshpërblimeve për çdo rrezik specifik.

Pagesa e dëmshpërblimit nuk mund të tejkalojë 100% të kostos së prodhimit për të gjithë periudhën e siguruar.

Tabela 1 – Periudha kohore për rreziqet kumbullës

Përcaktimi i primit të sigurimit

Përcaktimi i primit të sigurimit është i bazuar në llogaritjet aktuariale për secilën pikë dhe janë në dispozicion në broshurën e primeve për kulturën e kumbullës.

Të dhënat e domosdoshme meteorologjike për sigurimin e bazuar në indeks

Të dhënat e MeteoGroup janë të dhëna satelitore në bazë të cilave është bërë dizajnimi i produktit, vlerësimi i rrezikut dhe do të bëhet vlerësimi i humbjeve. MeteoGroup ofron të dhëna të përditësuara për 104 pika brenda territorit të Kosovës. 

Shuma e siguruar / Limitet e pagesave

Shuma e siguruar/Limitet e pagesave do të përcaktohen në bazë të kostove operative për prodhimin e kumbullës në vitin e tyre të plotë të prodhimit. Kosto operative e përfshirë është:

  • Pemishte e kumbullës 1,600 €/ha.

Kush mund të ofrojë sigurimin bujqësor?

Sigurimet bujqësore do të ofrohen nga kompanitë e licencuara të sigurimeve, ndërmjetësit, agjentët, bankat, institucionet mikrofinanciare (IMF), që veprojnë në Kosovë me kusht që të jenë të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).